Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, dhe ish komandanti i UÇK-së, Shukri Buja ka ngritur disa pyetje pas verdiktit dënues në Hagë.
Buja ka thënë se qytetarët përmes protestave në Kosovë dhe jashtë vendit po e kryejnë punën e tyre.
Megjithatë ai ka thënë se asnjë veprim me peshë nuk po bëhet nga Parlamenti i Kosovës, partitë politike dhe qeveria e Kosovës.
“Po ku je, partia ime, që nuk e thirre as mbledhjen e Këshillit Drejtues, as kryetarët e degëve nuk i ftove për organizim, koordinim e bashkëveprim? Kështu nuk ecet. Kështu nuk mbrohet askush. As udhëheqësit tanë që u dënuan padrejtësisht, as lufta çlirimtare, as shteti ynë”, ka shkruar Buja.
Postimi i tij:
Isha pjesëmarrës në protestën e organizuar nga OVL të UÇK-së, po ashtu edhe në protestën e organizuar në mbrëmje, “Jo në emrin tim”, dhe me bindje e them se rinia është e mrekullueshme, qytetarët të jashtëzakonshëm, ndërsa mërgimtarët janë duke u treguar në nivel maksimal!
Të gjithë në protesta përballë padrejtësisë që po i bëhet këtij populli, në emër të tij.
Po ku është Parlamenti i Kosovës? Ku janë subjektet politike? Ku është Qeveria e Kosovës? Ku është Akademia e Shkencave? Ku është…?!
Asnjë veprim me peshë!?
Po ku je, partia ime, që nuk e thirre as mbledhjen e Këshillit Drejtues, as kryetarët e degëve nuk i ftove për organizim, koordinim e bashkëveprim?
Kështu nuk ecet. Kështu nuk mbrohet askush. As udhëheqësit tanë që u dënuan padrejtësisht, as lufta çlirimtare, as shteti ynë.
Ndërkohë, deputetë, vazhdoni me reklama individuale, selfie e fotografi nga tubimet…
Ju kuptoj. Ju duhen votat nesër!
Por historia nuk do ta mbajë mend sa fotografi bëtë.
Do ta mbajë mend kush ishte aty kur duhej të ishte aty dhe çka bëri kur duhej të vepronte!