Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka ngritur pikëpyetje lidhur me thirrjen e seancës për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit, duke theksuar se ajo po mbahet jashtë afateve kushtetuese.
Cakolli ka pyetur se si mund të thirret dhe të merret pjesë në një seancë jashtë çdo afati kushtetues, pa iu drejtuar paraprakisht Gjykatës Kushtetuese për të përcaktuar pasojat juridike të shkeljes së këtij afati.
“Qysh thirret dhe merret pjesë në një seancë jashtë çdo afati kushtetues, pa iu drejtuar njëherë Gjykatës Kushtetuese për pasojën juridike të shkeljes së afatit?”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka vënë në dukje se seanca pritet të mbahet më shumë se një muaj pas skadimit të afatit për konstituimin e Kuvendit, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe pas një afati shtesë, të cilin e ka cilësuar si “të shpikur”.
“Ssidomos kur seanca do të mbahet mbi një muaj pas skadimit të afatit tepër të qartë për konstituim sipas aktgjykimit të Gjykatës, madje edhe pas afatit shtesë të shpikur si gjoja kushtetues?”, ka shkruar ai.
Sipas Cakollit, situata ngre edhe çështjen se çfarë ndodh me afatet kushtetuese për të cilat nuk është përcaktuar një pasojë konkrete në rast të tejkalimit të tyre.
“A i bjen kjo që secili afat kushtetues që s’e ka të përcaktuar një pasojë konkrete mund të tejkalohet, ndërsa akterët të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë?”, ka pyetur ai.
Cakolli ka përfunduar duke thënë se nëse afatet kushtetuese respektohen vetëm kur u përshtaten partive politike, atëherë ato, sipas tij, humbin karakterin kushtetues dhe shndërrohen në afate politike.
“Sepse nëse afatet vlejnë vetëm kur u konvenojnë partive, ato pushojnë së qeni afate kushtetuese dhe shndërrohen në afate politike”, ka shkruar Cakolli.