Marrëveshja politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e Bekim Sejdiut president ka hyrë në një fazë më të ndjeshme pas qëndrimit kundërshtues të gjashtë deputetëve të LDK-së.
Pas takimit të parë mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut, ku u diskutua dakordimi për mbështetjen e Sejdiut, zhvillimet brenda LDK-së sollën një situatë të re për marrëveshjen.
Gjashtë deputetë të LDK-së kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Sejdiut, duke ngritur pikëpyetje mbi mundësinë që dakordimi i liderëve të sigurojë edhe votat e nevojshme në Kuvend.
Në këtë rrethanë, Kurti dhe Abdixhiku u takuan sërish sot, këtë herë në zyrën e ish-presidentes Vjosa Osmani, e cila tash është deputete e LDK-së.
Pas takimit, Abdixhiku e cilësoi atë si “një takim të rregullt”, duke thënë se kishte njoftuar Kurtin për zhvillimet e fundit në LDK, ndërsa ky i fundit e kishte informuar për zhvillimet në Kryesinë e Vetëvendosjes dhe në Grupin Parlamentar.
“Siç e do rendi, kur kemi procese diskutuese duhet të njoftojmë zyrtarisht njëri-tjetrin për zhvillimet partiake. Dhe, këtë e bëra. Atë që ka ndodhur dje, e njoftova Kurtin dhe ai më njoftoi për zhvillimet në kryesinë e VV-së dhe të Grupit Parlamentar”, tha Abdixhiku.
Ndryshe nga Abdixhiku, Kurti nuk dha deklaratë para gazetarëve pas përfundimit të takimit.
Kryetari i LVV-së iu shmang mediave dhe u largua nga objekti përmes hyrjes së pasme të Kuvendit, prej nga vazhdoi drejt veturave të zeza që e prisnin.
Megjithatë, Abdixhiku ka paralajmëruar se takimet mes tij dhe Kurtit do të vazhdojnë.