Ish i dërguari i posaçëm amerikan për Kosovën, Christopher Hill, ka shprehur zhgënjimin e tij me vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se vazhdon të besojë se Hashim Thaçi nuk ka qenë i përfshirë në veprimtari të paligjshme.

Në një intervistë për Klan News, pas vendimit të shkallës së parë me të cilin Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet, diplomati amerikan ka folur edhe për dëshminë e tij në Hagë dhe për atë që kishte parë në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Hill tha se kishte vendosur të paraqitej si dëshmitar në mbrojtje të Thaçit pikërisht për shkak të bindjes së tij se ish-presidenti i Kosovës nuk kishte qenë i përfshirë në veprimtari të paligjshme.

Reklamë

“Unë kam dalë si dëshmitar në emrin e Thaçit, sepse unë besoj se nuk ka qenë i përfshirë në veprimtari të paligjshme. Fatkeqësisht gjyqtarët morën vendimin e kundërt dhe unë isha shumë i zhgënjyer”, tha Hill.

I pyetur nëse dënimet ishin befasi për të, Hill tha se vendimet gjyqësore janë të vështira për t’u parashikuar për shkak të sasisë së provave që shqyrtohen gjatë proceseve të tilla.

Ai tha se nuk ishte domosdoshmërisht i befasuar nga vendimi, por theksoi përsëri se ishte “tepër i zhgënjyer” me rezultatin e procesit.

Hill: Nuk kam parë sipërmarrje të përbashkët kriminale

Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua periudhës së luftës në Kosovë dhe kontakteve që Hill kishte me Thaçin dhe përfaqësues të tjerë të UÇK-së në cilësinë e të dërguarit amerikan.

Reklamë

I pyetur drejtpërdrejt nëse gjatë viteve 1998-1999 kishte parë diçka që do të mund të përshkruhej si “sipërmarrje e përbashkët kriminale”, Hill u përgjigj se nuk kishte parë një gjë të tillë.

“Unë nuk kam parë asnjë sipërmarrje të përbashkët kriminale”, deklaroi ai.

Hill rikujtoi se situata në Kosovë në atë periudhë ishte jashtëzakonisht e rëndë dhe se përfundimisht u arrit deri te përdorimi i bombardimeve për zgjidhjen e krizës.

“Kur isha në Kosovë më 1998-1999 situata ishte tepër e vështirë. Situata në Kosovë ishte e rëndë, sepse duhet të përdornim bombardimet për ta zgjidhur problemin. Unë asnjëherë nuk e pashë këtë ‘sipërmarrjen e përbashkët kriminale’”, tha Hill.

Reklamë

Diplomati amerikan tha se të njëjtin qëndrim e kishte paraqitur edhe gjatë dëshmisë së tij në Hagë.

Sipas Hillit, UÇK-ja në atë periudhë nuk funksiononte si një organizatë ushtarake e strukturuar në mënyrë të rreptë dhe kapacitetet e saj ishin të kufizuara.

“Unë thashë në Hagë se UÇK-ja nuk ishte një organizatë e strukturuar. UÇK-ja kishte kapacitete që ishin të limituara. Por gjykata nuk ra dakord me fjalët e mia”, tha ai.

“Thaçi nuk kontrollonte çdo gjë në terren”

Reklamë

Hill foli konkretisht edhe për pozicionin që Hashim Thaçi kishte brenda UÇK-së.

I pyetur nëse paraqitja e Thaçit nga Prokuroria si një prej drejtuesve të UÇK-së mund të kishte ndikuar negativisht në rastin kundër tij, Hill tha se dëshmia e tij në Hagë ishte kufizuar në çështjet për të cilat kishte njohuri të drejtpërdrejta.

Megjithatë, ai përsëriti vlerësimin se Thaçi nuk kishte kontroll mbi gjithçka që ndodhte në terren.

“Thaçi nuk kontrollonte çdo gjë në terren. Nuk kishte një autoritet qendror që të mund të jepte urdhra në atë kohë”, tha Hill.

Reklamë

Sipas tij, UÇK-ja nuk kishte një strukturë të mirëfilltë vertikale komanduese, në të cilën urdhrat e dhënë nga drejtuesit do të transmetoheshin dhe ekzekutoheshin automatikisht nga nivelet më të ulëta.

“UÇK ishte një organizatë që donte pavarësinë dhe lirinë e Kosovës. Unë nuk ndjeva se kishte ndonjë organizim të mirëfilltë vertikal, ku mesazhet nga kreu do të ekzekutoheshin nga pjesa poshtë”, deklaroi Hill.

Ai shtoi se në atë kohë kishte përpjekje që UÇK-ja të shndërrohej në një ushtri më të mirëfilltë dhe të trajtohej më seriozisht nga shtetet perëndimore.

Hill: Thaçi ishte tepër i pjekur për moshën që kishte

Ish-diplomati amerikan foli me vlerësime pozitive edhe për figurën e Hashim Thaçit, të cilin e kishte njohur gjatë angazhimit të tij diplomatik në Kosovë.

Hill tha se Thaçi ishte “tepër i pjekur” për moshën që kishte dhe se e kishte kuptuar nevojën që Kosova të vendosej në një pozitë më të mirë.

“Hashim Thaçi ishte një personalitet dhe tepër i pjekur për moshën që kishte. Thaçi e kuptoi se Kosova duhet të ishte në një pozitë më të mirë dhe e kam vlerësuar gjithmonë atë”, tha Hill.

Ai përsëriti se, bazuar në përvojën e tij, nuk beson se Thaçi kishte qenë i përfshirë në krime.

“Unë nuk e besoj se ai është përfshirë në krime. Nuk e kam ndjerë nocionin se Thaçi të jetë përfshirë në vepra të paligjshme”, deklaroi ish-diplomati amerikan.

Çfarë thotë Hill për mundësinë e zhbërjes së Gjykatës Speciale

Hill është pyetur gjithashtu nëse, pas vendimit të fundit, ekziston mundësia që Gjykata Speciale të shpërbëhet.

Për këtë çështje ai është treguar shumë më i rezervuar, duke thënë se bëhet fjalë për një çështje juridike që duhet t’u drejtohet ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare.

“Jeni duke pyetur një diplomat për një pyetje ligjore dhe do ju kërkoja që të flisni më mirë me një jurist të çështjeve të së drejtës ndërkombëtare. Përgjigjja ime është: Nuk e di, vërtet nuk e di”, tha Hill.

Sipas tij, ajo që është e rëndësishme në këtë fazë është që ekipi i mbrojtjes të përgatitet për hapat e ardhshëm juridikë.

Hill tha se duhet të gjendet një zgjidhje që do të mund të konsiderohej drejtësi dhe që do të ishte në përputhje me faktet.

“Shpresoj se kjo të ecë përpara në mënyrë pozitive dhe, ashtu si njerëz të tjerë, edhe unë jam shumë i zhgënjyer me vendimin e marrë nga Gjykata Speciale”, tha ai.

Mesazhi për Kosovën: Mos e ktheni zhgënjimin në zemërim

Një pjesë tjetër e intervistës iu kushtua reagimeve në Kosovë pas shpalljes së dënimeve.

Hill tha se e kupton zhgënjimin dhe zemërimin e njerëzve që besojnë se vendimi është i gabuar.

“Të qenurit i mërzitur dhe i zhgënjyer janë pasoja të natyrshme të këtij vendimi. Unë shpreh empatinë time ndaj këtyre njerëzve, të cilët mendojnë se ky është vendim i gabuar”, tha ai.

Megjithatë, ish-diplomati amerikan bëri thirrje që ky reagim të mos shndërrohet në mllef ndaj organizatave ndërkombëtare.

Sipas tij, vëmendja tani duhet të përqendrohet te hapat që do të ndërmarrë mbrojtja dhe te rruga juridike që do të ndiqet më tej.

“Unë doja t’u thosha njerëzve që të qëndroni më shumë te pjesa e mërzitjes sesa te pjesa e zemërimit”, tha Hill.

Ai shtoi se nuk mendon se zemërimi dhe mllefi ndaj organizatave ndërkombëtare janë të dobishme për Kosovën.

Hill shprehu njëkohësisht shpresën se procesi i Apelit mund të sjellë një rezultat tjetër për ish-krerët e UÇK-së.

“Unë do të apeloja që të mos ketë mllef për këtë vendim. Duhet të shohim përpara dhe të kemi shpresë se vendimi i Apelit do të jetë në favor të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi ai.

Gjykata Speciale në Hagë dënoi në shkallë të parë katër ish-krerët e UÇK-së me gjithsej 81 vjet burg. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.

Christopher Hill kishte shërbyer si i dërguar i posaçëm amerikan gjatë konfliktit në Kosovë dhe kishte kontakte të drejtpërdrejta me përfaqësuesit politikë të UÇK-së. Dekada më vonë, ai u paraqit në Hagë si dëshmitar i mbrojtjes së Hashim Thaçit.

Në intervistën pas aktgjykimit, Hill e bëri të qartë se vendimi i gjykatës nuk ia ka ndryshuar vlerësimin e tij personal për atë që kishte parë në Kosovë në vitet 1998-1999: sipas tij, Thaçi nuk kontrollonte gjithçka në terren, UÇK-ja nuk kishte një strukturë të mirëfilltë vertikale komanduese dhe ai vetë nuk kishte parë atë që në proces është përshkruar si “sipërmarrje e përbashkët kriminale”. /Reporteri.net