Vizita disaorëshe e Jakup Krasniqit në Kosovë ka përfunduar. Para largimit, ai është përshëndetur me familjarët e tij, në momente të përcjella me përqafime dhe emocione.
Krasniqi është kthyer më 18 nëntor në Kosovë, pas lejes së dhënë nga Dhomat e Specializuara në Hagë për një vizitë me karakter humanitar. Ardhja e tij lidhej me gjendjen e rënduar shëndetësore të bashkëshortes, Sevdije Krasniqi.
Pas mbërritjes në Prishtinë, në lagjen Velania, ai është pritur nga familjarët e tij. Pamjet e publikuara nga vizita tregojnë takimin me të afërmit, por edhe çastet emocionuese të përshëndetjes para largimit.
Gjatë qëndrimit të tij janë vërejtur masa të shtuara sigurie, me pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it në afërsi të shtëpisë.
Kjo është vizita e dytë e Krasniqit në Kosovë që nga transferimi në Hagë. Herën e parë ishte kthyer në vendlindje pas vdekjes së vëllait.