Nëna e Liridona Ademajt, e cila u vra nga bashkëshorti i saj, ka shprehur ngushëllime për familjen e Arlinda Zekës, e cila u vra të dielën në Pejë.

Përmes një mesazhi prekës, ajo ka thënë se lajmi për vrasjen e Arlindës ia ka rihapur plagët e dhimbjes për humbjen e vajzës së saj.

“Ngushëllime nga zemra familjarëve të Arlindës. Si nënë që e kam përjetuar dhimbjen më të madhe në jetë, humbjen e vajzës sime nga krimi, e di mirë se çfarë do të thotë kur ta marrin fëmijën e ta copëtojnë zemrën përgjithmonë”, thuhet në mesazhin e saj.

Reklamë

Ajo ka thënë se kur ka marrë vesh se edhe Arlinda u bë viktimë e vrasjes, dhimbja e përjetuar nga humbja e vajzës i është rikthyer.

“Kur e mora vesh se edhe një çikë e Kosovës, Arlinda, u bë viktimë e vrasjes, m’u rihapën plagët e shpirtit dhe m’u copëtua zemra prapë”, ka shkruar ajo.

Në fund të mesazhit, nëna e Liridona Ademajt ka theksuar se drejtësia e shpejtë është ajo që mund t’u sjellë ngushëllim familjarëve të Arlindës.

“Vetëm drejtësia e shpejtë mund t’i ngushëllojë familjarët”, thuhet në mesazhin e saj, të publikuar nga vëllai i Liridona Ademajt, Leonard Ademaj.

Reklamë