Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, në një konferencë për media ka shpalosur kronologjinë e veprimeve të ndërmarra nga ky institucion para vrasjes së Arlinda Zekës, e cila u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës.

Në një konferencë për media të hënën, Nikçi ka thënë se më 22 tetor, kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë kishte pranuar një parashtresë nga viktima, në të cilën ishin ngritur tri çështje kryesore: pretendimet për neglizhencë të zyrtarëve institucionalë, kërkesa për ekzekutimin e një vendimi gjyqësor dhe rrezikimi i jetës së saj.

Sipas Nikçit, pas pranimit të parashtresës, kryeprokurorja kishte autorizuar hapjen e një rasti në Departamentin për Krime të Rënda, me qëllim të hetimit të pretendimeve për veprime ose mosveprime të mundshme të zyrtarëve që trajtonin rastet e viktimës.

Reklamë

“Menjëherë kryeprokuroria ka hapur rastin në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka autorizuar prokurorin e Krimeve të Rënda të ndërmarrë veprime lidhur me pretendimet e viktimës, në mënyrë që të vërtetohet secili veprim i secilit zyrtar në drejtim të veprës penale kundër detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, ka deklaruar Nikçi, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ai ka thënë se çështja e dytë e ngritur në parashtresë kishte të bënte me ekzekutimin e një vendimi gjyqësor, përmes të cilit Arlindës i ishte njohur e drejta e shfrytëzimit të pronës së përbashkët në mënyrë proporcionale dhe të barabartë me ish-bashkëshortin e saj.

Sipas tij, vendimi i gjykatës, i nxjerrë më 18 tetor, përfshinte edhe një urdhër mbrojtës ndaj ish-bashkëshortit, që ai të mos i afrohej viktimës në distancë prej dy metrash.

Nikçi ka thënë se Policia e Kosovës e kishte njoftuar kryeprokurorin për çështjen dhe, me asistimin e tij, ishte mundësuar ekzekutimi i vendimit gjyqësor më 22 tetor, në të njëjtën ditë kur ishte pranuar parashtresa e viktimës.

Duke shpalosur kronologjinë e rastit, Nikçi ka thënë se më 22 tetor, disa orë pas ekzekutimit të vendimit gjyqësor, policia kishte raportuar për një mosmarrëveshje brenda shtëpisë.

Reklamë

Sipas tij, prokurorja kujdestare kishte shkuar në stacionin policor, ku kishte biseduar me Arlindën dhe, së bashku me Policinë e Kosovës, kishte vlerësuar se jeta dhe siguria e saj ishin në rrezik.

Për këtë arsye, asaj i ishte kërkuar që përkohësisht të mos kthehej në shtëpinë e përbashkët me ish-bashkëshortin.

Nikçi ka shpjeguar se vendimi gjyqësor parashihte shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë prej rreth 90 metrash katrorë nga të dy ish-bashkëshortët, por se prokurorja kujdestare dhe policia kishin vlerësuar se kthimi i viktimës në atë ambient mund ta rrezikonte sigurinë e saj.

Sipas tij, Arlinda fillimisht e kishte kundërshtuar kategorikisht kërkesën që të mos kthehej në shtëpi.

Reklamë

Në stacionin policor ishin ftuar edhe dy vëllezërit e saj, ndërsa prokurorja kujdestare dhe zyrtarët policorë kishin qëndruar deri rreth orës 02:00 pas mesnatës, duke u përpjekur ta bindnin që përkohësisht të qëndronte te vëllezërit e saj, derisa të sqarohej situata.

Gjatë këtyre bisedimeve, viktima kishte kërkuar një shënim zyrtar nga prokuroria dhe policia, ku do të evidentoheshin arsyet për të cilat po i kërkohej të mos kthehej në shtëpinë e saj.

Pas negociatave, ajo kishte pranuar të shkonte te vëllezërit e saj për atë natë. Sipas Nikçit, ishte përpiluar edhe shënimi zyrtar për arsyet e sigurisë.

U kërkua veprim urgjent nga institucionet

Reklamë

Nikçi ka bërë të ditur se, pas pranimit të parashtresës, kryeprokurorja u kishte drejtuar kërkesë për veprim urgjent institucioneve relevante, përfshirë gjykatën, policinë, Qendrën për Punë Sociale dhe Drejtorinë për Mirëqenie Sociale.

Sipas tij, qëllimi ishte që institucionet të ndërmerrnin veprimet e nevojshme për të gjetur një zgjidhje urgjente për situatën e Arlindës.

Të nesërmen, pasi viktima kishte kërkuar të kthehej në shtëpi e shoqëruar nga policia, prokuroria kishte autorizuar angazhimin e një patrulle policore për monitorimin e vazhdueshëm të zonës ku ajo banonte.

Sipas Nikçit, policia ishte udhëzuar që të monitoronte rrethinën e vendbanimit dhe, në intervale të caktuara kohore, të kontaktonte viktimën për të pyetur nëse gjithçka ishte në rregull, shkruan Reporteri.net.

Reklamë

Vrasja ndodhi pak minuta pas kthimit në shtëpi

Duke folur për natën e vrasjes, Nikçi ka thënë se rreth orës 19:48 të së dielës, më 25 tetor, prokuroria ishte njoftuar për një rast të dhunës në familje në vendbanimin ku ndodheshin Arlinda dhe ish-bashkëshorti i saj.

Sipas tij, pas raportimit të një mosmarrëveshjeje, të dy ishin shoqëruar në stacionin policor dhe ishin intervistuar.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, ish-bashkëshorti i viktimës ishte ndaluar për disa orë, ndërsa Arlindës i ishte rekomanduar të shkonte në një strehimore.

Megjithatë, ajo kishte kundërshtuar dhe kishte insistuar të kthehej në shtëpinë e saj.

“Një patrullë policore e ka shoqëruar deri te vendbanimi dhe, me të hyrë në ambientet e shtëpisë, pas disa minutave, për fat të keq, është sulmuar me një mjet të fortë dhe ka pësuar lëndime fatale për jetën e saj”, ka deklaruar Nikçi.

Pas marrjes së informatës për vrasjen, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë relevante të Policisë së Kosovës, kryeprokurorja dhe prokurori i Krimeve të Rënda.

Nikçi ka bërë të ditur se personi i dyshuar për veprën penale të vrasjes së rëndë ndodhet në arrati dhe se Policia e Kosovës po punon për lokalizimin dhe arrestimin e tij. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë institucionet me informata që mund të çojnë në kapjen e të dyshuarit.

Nikçi: Veprimet e prokurorisë janë të dokumentuara

Duke komentuar reagimet publike pas vrasjes së Arlindës dhe kritikat ndaj institucioneve, Nikçi ka thënë se prokuroria është e vetëdijshme për shqetësimin e qytetarëve, por ka insistuar se veprimet e ndërmarra nga ky institucion janë të dokumentuara.

Ai ka theksuar se, pas pranimit të parashtresës, ishte hapur rast për hetimin e zyrtarëve, ishin alarmuar institucionet relevante për veprim urgjent dhe ishte kërkuar monitorimi i sigurisë së viktimës.

“Ne i kuptojmë reagimet, i kuptojmë shqetësimet, për shkak se kemi humbur një qytetare”, ka thënë Nikçi, duke shtuar se duhet të shqyrtohen edhe veprimet dhe përgjegjësitë eventuale të institucioneve të tjera.

Sipas tij, prokuroria ka ndërmarrë veprimet që i ka konsideruar të nevojshme, por ngjarja tragjike ndodhi pasi Arlinda u kthye në shtëpi dhe u sulmua me një mjet të fortë.