Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim delegacionin e Komisionit për Politikë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i përbërë nga 11 anëtarë nga nëntë shtete të ndryshme.
Gjatë takimit, Kurti ka theksuar se anëtarësimi në NATO mbetet prioritet strategjik për Kosovën, duke e cilësuar atë si të rëndësishëm për paqen e qëndrueshme dhe sigurinë afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë Evropën.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim është diskutuar për bashkëpunimin dhe hapat e ardhshëm, përparimin demokratik dhe zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik të Kosovës, si dhe për situatën e sigurisë në vend dhe rajon.
Një pjesë e diskutimeve i është kushtuar edhe ngritjes së kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe aftësimit profesional të pjesëtarëve të saj, në përputhje me politikat dhe standardet e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s është takuar një ditë më parë edhe me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Pas takimit, Haxhiu ka deklaruar se NATO-ja është e lidhur pazgjidhshmërisht me vitin 1999, kur ndërhyrja e Aleancës ishte vendimtare për t’i dhënë fund luftës, masakrave dhe spastrimit etnik të kryer nga Serbia në Kosovë.
Ndërkaq, nënkryetarja e Kuvendit, Emilija Rexhepi, e cila u takua me delegacionin më 28 tetor, ka shprehur pakënaqësi për mënyrën se si diskutohen komunitetet joshumicë në Kosovë.
Ajo ka thënë se diskutimet për këto komunitete përqendrohen pothuajse gjithmonë te komuniteti serb.
“Në pyetjen e anëtarëve të delegacionit lidhur me gatishmërinë e qytetarëve të nacionalitetit serb për t’u integruar në institucionet e Republikës së Kosovës, shpreha hapur qëndrimin tim se jemi lodhur nga fakti që pothuajse çdo diskutim për komunitetet joshumicë në Kosovë përqendrohet ekskluzivisht te komuniteti serb”, ka deklaruar Rexhepi.