×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Aktgjykimi

    Dënohet me 1 vit e 4 muaj burgim i arrestuari për aksidentin me fatalitet në Prishtinë

    Reporteri
    09 Shtator 2026 | 14:52
    Fotografi ilustruese

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Vullnet Gashit, duke e dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim për aksidentin me fatalitet të ndodhur në vitin 2023 në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë.

    Në këtë rast, Vullnet Gashi akuzohej se shkaku i aksidentit të shkaktuar në dhjetor të 2023-ës në Prishtinë, F.B- si këmbësor kishte ndërruar jetë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga gjykatësi Driton Berisha.

    I akuzuari Gashi u shpall fajtor dhe u dënua me 1 vit e 4 muaj burgim për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, ndërkaq ndaj tij u shpall edhe dënim plotësues- marrja e patentë shoferit, si dhe iu ndalua pajisja me patentë shofer për 4 vite nga dita kur aktgjykimi të marrë formën e prerë.

    Ndaj këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditësh.

    Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike.

    I akuzuari obligohet të paguajë 80 euro për paushallin gjyqësor, 20 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit dhe 300 euro në emër të ekspertizës së komunikacionit, në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

    Ndryshe, i akuzuari nuk ishte i pranishëm në shpallje. Prezent ishin prokurori Ardian Mehmeti, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- avokati Emrush Kastrati, dhe mbrojtësi i Gashit- avokati Bajram Dili.

    Në seancën e mbajtur më 4 shtator 2026, prokurori Ardian Mehmeti në fjalën përfundimtare kërkoi dënim me burgim efektiv për të akuzuarin, duke theksuar se Gashi ishte dënuar 117 herë për kundërvajtje në trafik. Kurse, mbrojtja e të akuzuarit- avokati Driton Muharremi tha se nuk është vërtetuar që klienti i tij ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.

    Ndryshe, ky rast ishte në gjykim tek gjyqtarja Naime Krasniqi-Jashanica, por për shkak të degradimit të saj nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për Kundërvajtje, rasti kaloi tek gjyqtari Driton Berisha.

    Në seancën fillestare më 18 tetor 2024, i akuzuari u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shkurt 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Vullnet Gashi më 2 dhjetor 2023 në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë, derisa ishte duke drejtuar veturën pa patentë shofer, në shiritin e djathtë të dedikuar vetëm për lëvizjen e autobusëve dhe taksive, nga pakujdesia ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, ashtu që duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, kushteve të rrugës, gjendjes dhe llojit rrugës në mënyrë që të ndalë mjetin para çdo pengese që mund të paraqitet, ka rrezikuar trafikun publik dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa tani i ndjeri F.B., ishte duke kaluar rrugën, në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, jashtë vendkalimit të këmbësorëve, nga ana e majtë në të djathtë (drejtimi i lëvizjes së automjetit), në ato momente në shiritin e mesëm të trafikut ishte duke lëvizur një kamion dhe me të arritur pranë “Euro Roleta”, i pandehuri me pjesën e parë ballore e godet tani të ndjerin, i cili si pasojë e lëndimeve të marra, kishte ndërruar jetë.

    Aktakuza thotë se Raporti i Autopsisë i datës 12 dhjetor 2023, tregon se vdekja e tani të ndjerit F.B., është e dhunshme dhe ka ardhur si pasojë e traumës së shumëfishtë, ku tregohen edhe lëndimet trupore që kishte marrë tani i ndjeri si pasojë e aksidentit.

    Me këtë, i pandehuri Vullnet Gashi akuzohej se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal.

    Ishte dënuar mbi 100 herë për kundërvajtje në trafik, kërkohet burgim për të akuzuarin për aksidentin me fatalitet në Prishtinë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!