Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, e ka dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv Kadri Xhemailin, i cili kishte pranuar fajësinë për kanosjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Xhemaili ishte akuzuar nga Prokuroria Speciale se më 22 tetor 2025, përmes një komenti të publikuar në rrjetin social Facebook, e kishte kanosur Kurtin me privim nga jeta, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, gjykata kishte aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit.

Reklamë

Sipas marrëveshjes, ishte rekomanduar që Xhemaili të dënohej me një vit burgim me kusht, me periudhë verifikuese prej tre vjetësh, mirëpo gjykata nuk e ka aprovuar rekomandimin lidhur me lartësinë e dënimit dhe e ka dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv.

Gjykata njoftoi se i akuzuari ka të drejtë ankese lidhur me lartësinë e dënimit.

Sipas aktakuzës, Xhemaili ngarkohej me veprën penale “Kanosja”, nga neni 181, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.