Devolli Corporation ka zyrtarizuar sot partneritetin strategjik me IHG Hotels & Resorts, një prej grupeve më të mëdha dhe më prestigjioze hoteliere në botë, për zhvillimin e mega projektit InterContinental Resort Tivat, një resort luksoz ekskluziv me pesë yje në Gjirin e Kotorrit, në Mal të Zi.
Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm në strategjinë e zgjerimit të Devolli Corporation në sektorin e patundshmërisë dhe turizmit ndërkombëtar, duke sjellë në një prej destinacioneve më atraktive të Mesdheut një investim që ndërthur hotelerinë luksoze, rezidencat private dhe standardet më të larta të mikpritjes ndërkombëtare.
Në kuadër të marrëveshjes, projekti do të zhvillohet nën brendin prestigjioz InterContinental, pjesë e portofolit të IHG Hotels & Resorts, i cili do të menaxhojë hotelin përmes një kontrate 32-vjeçare, duke garantuar zbatimin e standardeve ndërkombëtare të shërbimit dhe operimit. Hapja e hotelit planifikohet për vitin 2030.
“Jemi shumë të kënaqur që po e zyrtarizojmë këtë partneritet me Devolli Corporation për zhvillimin e InterContinental Resort Tivat. Mali i Zi, e në veçanti Gjiri i Kotorrit, përfaqëson një destinacion me potencial të jashtëzakonshëm për turizmin e nivelit të lartë. Ky projekt na ofron mundësinë që të sjellim përvojën dhe traditën mbi tetëdekadëshe të InterContinental në një lokacion vërtet të veçantë. Besojmë se, përmes bashkëpunimit me Devolli Corporation, do të krijojmë një destinacion që do të tërheqë vizitorë ndërkombëtarë dhe do të kontribuojë në ngritjen e mëtejshme të standardeve të mikpritjes në rajon”, u shpreh Hylko Versteeg, Drejtor i Zhvillimit për Evropën Jugore në IHG Hotels & Resorts.
I pozicionuar në Tivat, në Gjirin e Kotorrit, një prej gjireve më të bukura të Mesdheut dhe në afërsi të qytetit historik të Kotorrit, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, InterContinental Tivat do të jetë një destinacion i veçantë për turizmin elitar dhe jetesën ekskluzive.
Afërsia me Porto Montenegro, një prej marinave më prestigjioze për jahte në Adriatik, si dhe me Aeroportin Ndërkombëtar të Tivatit, i jep projektit një pozicion të favorshëm dhe qasje të lehtë.
Projekti shtrihet në një sipërfaqe toke prej 42,207 m², me gjithsej 57,534 m² sipërfaqe ndërtimore. Resorti përbëhet nga tetë objekte, duke përfshirë hotelin, rezidencat private dhe hapësirat përcjellëse, si dhe 277 vende parkimi nëntokësor.
Në qendër të projektit do të jetë hoteli InterContinental Tivat, me pesë yje, i cili do të ofrojë 159 dhoma dhe suita, të projektuara për të ofruar komoditet, elegancë dhe pamje panoramike drejt Gjirit të Kotorrit.
“InterContinental Resort Tivat përfaqëson një hap të rëndësishëm në vizionin afatgjatë të Devolli Corporation për zgjerimin e aktiviteteve tona në tregjet ndërkombëtare dhe për zhvillimin e projekteve me standarde të larta ndërkombëtare. Për ne, ky nuk është vetëm investim në një hotel luksoz, por krijimi i një destinacioni të veçantë që ndërthur hotelerinë, rezidencat ekskluzive dhe një përvojë të re të jetesës në një prej lokacioneve më të bukura të Adriatikut. Partneriteti me IHG Hotels & Resorts është dëshmi e ambicies sonë për të bashkëpunuar me brendet më prestigjioze botërore dhe për të sjellë vlerë afatgjatë në tregjet ku investojmë. Besojmë fuqishëm në potencialin e bregdetit në rajon dhe jemi krenarë që përmes InterContinental Resort Tivat po kontribuojmë në zhvillimin e mëtejmë të turizmit dhe ekonomisë së rajonit”, theksoi Adriatik Kelmendi, anëtar i Bordit të Devolli Corporation.
Resorti do të përfshijë një ofertë të pasur të shërbimeve dhe hapësirave rekreative, ndër të cilat:
• Spa ekskluzive me sauna dhe pishinë të brendshme;
• Pishina të jashtme dhe pishinë në çati;
• Restorant kryesor me tarracë dhe restorant à la carte;
• Lobby bar, spa bar dhe beach bar;
• Klub tenisi;
• Kopshte dhe hapësira të gjelbra në çati;
• Hapësira të dedikuara për relaksim dhe argëtim.
Të gjitha këto hapësira do të krijojnë një përvojë të integruar të mikpritjes luksoze, duke ndërthurur arkitekturën bashkëkohore, natyrën dhe peizazhin unik të gjirit.
Një komponent i rëndësishëm i InterContinental Resort Tivat janë edhe 225 rezidencat private, me një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 18,000 m², të cilat do të zhvillohen në tri faza.
Rezidencat do të ofrojnë njësi me një, dy dhe tri dhoma gjumi, si dhe apartamente dupleks, të pajisura me tarraca private dhe pamje drejt detit.
Vlera e veçantë e këtij koncepti qëndron në kombinimin e privatësisë dhe komoditetit të një rezidence private me përparësitë dhe shërbimet e një hoteli ndërkombëtar të nivelit më të lartë, i cili rrit potencialin turistik dhe ekonomik të rajonit, duke krijuar një destinacion të ri të turizmit luksoz në Adriatik.
Përmasat dhe kompleksiteti i projektit pritet të gjenerojnë vende të shumta pune gjatë fazës së ndërtimit, si dhe mundësi të qëndrueshme punësimi pas përfundimit dhe funksionalizimit të resortit.
Partneriteti me IHG Hotels & Resorts përfaqëson një element kyç të projektit, duke bashkuar vizionin investues të Devolli Corporation me përvojën dhe ekspertizën ndërkombëtare të një prej operatorëve më të njohur të hotelerisë në botë.











