Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjergji përmes një deklarate ka thënë se vendimi ka shkaktuar “hidhërim të thellë dhe thartirë në shpirt”, duke e lidhur këtë moment me kujtesën historike të sakrificave të popullit të Kosovës për liri, gjuhën dhe dinjitetin.

Ai ka bërë thirrje që dhimbja dhe zemërimi të mos errësojnë arsyen, duke kërkuar që reagimet të jenë të matura, paqësore dhe të përgjegjshme.

Reklamë

“Zemërimi i një populli është i kuptueshëm vetëm atëherë kur shndërrohet në forcë për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë”, ka deklaruar Ipeshkvi.

Sipas tij, përballë kësaj situate nevojitet bashkërendim institucional dhe përgjegjësi e përbashkët e institucioneve dhe klasës politike të Kosovës.

“Sot duhet të bashkohemi si komb: rreth të vërtetës, dinjitetit tonë dhe përgjegjësisë për të ardhmen. Ashtu që të ruhet pastërtia e përpjekjes së popullit tonë për liri, të forcojmë miqësitë me ata që na qëndruan pranë në ditët më të vështira dhe të rindërtojmë besimin e lënduar pas çlirimit”.

” Mbi gjitha të kujdesemi që këtë situatë ta përballojmë me pjekuri e dinjitet ashtu që zemërimi tepruar, hapat e nxituar ose veprimi i vonuar të mos e dëmtoj të ardhmen tonë”, thuhet në deklaratën e Gjergjit.