Policia e Kosovës ka njoftuar për dy ekstradime të realizuara në bashkëpunim me autoritetet e Shqipërisë dhe Zvicrës.
Sipas Policisë, më 27 gusht, një shtetas kosovar me inicialet H.M. është ekstraduar nga Kosova në Shqipëri, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Ekstradimi i tij është realizuar në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, ku i dyshuari u është dorëzuar autoriteteve shqiptare për procedura të mëtejshme ligjore.
Ndërkaq, më 28 gusht, nga Zvicra në Kosovë është ekstraduar shtetasi kosovar P.S., i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Policia ka bërë të ditur se ekstradimi i tij është realizuar përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku iu dorëzua njësive përgjegjëse të Policisë së Kosovës për procedura të mëtejshme ligjore.
Sipas Policisë, këto dy raste janë realizuar falë bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve të dy shteteve partnere.
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU) ka thënë se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare për parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, si dhe lokalizimin dhe arrestimin e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.