Një muaj paraburgim i është caktuar një burri nga Gjakova, i dyshuar për dhunë në familje dhe lëndim të lehtë trupor, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe ka sulmuar me thikë axhën e saj.

Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Gjakovë, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore të këtij qyteti.

Sipas njoftimit të Gjykatës, rasti ka ndodhur më 21 nëntor 2026, rreth orës 02:00, në fshatin Lipovec të Gjakovës.

Reklamë

I dyshuari, sipas kërkesës së Prokurorisë, dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, duke i shkaktuar frikë dhe shqetësim emocional.

Po ashtu, më 18 nëntor, për shkak të mosmarrëveshjeve me bashkëshortin, gruaja kishte shkuar te familja e saj, ku kishte pranuar një mesazh zanor nga i dyshuari, në të cilin ai e kishte kërcënuar me fjalët: “O ku je, o kom me të myt, po ku je”.

Në ditën kritike, i dyshuari kishte shkuar në shtëpinë ku ndodhej bashkëshortja dhe, duke bërtitur, i kishte kërkuar të dilte dhe të hipte në veturë, kinse për të biseduar.

Në të njëjtën ngjarje, ai dyshohet se ka sulmuar me thikë edhe axhën e bashkëshortes. Sipas Gjykatës, kur ky i fundit kishte dalë për të biseduar me të dyshuarin, ishte sulmuar me thikë në fytyrë dhe në dorën e majtë, pasi kishte tentuar të mbrohej. Si pasojë, atij i ishte prerë gishti i katërt i dorës.

Lëndimet janë dokumentuar edhe në raportin mjekësor të Shërbimit Emergjent të Spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë.

Reklamë

Gjykata ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.

Ai do të mbahet në paraburgim për një muaj, nga 21 nëntori deri më 21 dhjetor 2026. Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.