×
  • Lajme
  • Lajme

    Edhe kunata e kryeministrit Haradinaj punësohet në Telekom, pagën mbi 2 mijë euro

    Reporteri
    15 Mars 2019 | 19:25

    Pozitë shumë të rëndësishme brenda Telekomit, ka marrë muajin e kaluar Vesmira Haxhaj – Haradinaj.


    Zëvendësdrejtoresha e re e Financave në ndërmarrjen publike, është kunata e kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj – gruaja e vëllait të tij, Frashër Haradinaj, raporton KTV.

    Ka disa javë që ajo është parë në punën e saj të re, por KTV-ja ka mundur të vërtetojë se ajo e ka marrë kontratën nga 22 shkurti, kurse në sistem ka hyrë vetëm brenda kësaj jave.

    Ani pse rroga e saj prej rreth 2,200 eurosh, është pak më e vogël se e kunatit-kryeministër dhe e barasvlershme me atë të kunatit tjetër, deputetit Daut Haradinaj, ajo është vënë në këtë pozitë pa u shpallur fare konkurs.

    Në një intervistë, në qershor të vitit të kaluar, Haradinaj kishte thënë se njerëzit e Aleancës nuk kishin guxuar as të konkurrojnë për vende pune në kohën që kjo parti ishte në opozitë.

    Në interesimin te Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nëse ai ka përdorur autoritetin e tij për ta punësuar kunatën në Telekom, Kryeministria nuk ka kthyer përgjigje.

    Përgjigje për këtë emërim apo punësim nuk ka dhënë as menaxhmenti i Telekomit, pavarësisht që KTV ka pritur dy ditë për përgjigje.

    Kontakti me Haxhaj-Haradinajn, zëvendësdrejtoreshën e re të Financave, ka qenë i pamundur.

    Punësimi i saj e shton listën e gjatë të të punësuarve me nepotizëm, në valën e madhe të punësimeve në Telekom, të nisur nga shkurti i vitit 2018, pak muaj pasi që AAK-ja e mori pushtetin.

    Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka nisur hetimet për këto punësime. Prokuroria, gjithashtu, ka konfirmuar se tashmë janë marrë dokumentacione nga zyrat e Telekomit, në shërbim të këtyre hetimeve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!