×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Kosova i përfiton 4.2 miliardë euro nga programi “Tregu i Përbashkët” i BE-së

    Reporteri
    12 Maj 2023 | 16:46
    Flamuri i Kosovës dhe ai i Bashkimit Evropian. Fotografi ilustruese nga arkivi.

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari dhe drejtorja e përgjithshme për Tregun e Brendshëm të Bashkimit Evropian, Industrinë, Ndërmarrësinë dhe Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme (DG GROW), Kerstin Jorna, kanë nënshkruar marrëveshjen për përfshirjen e Kosovës në programin e BE-së “Tregu i Përbashkët”.

    “Programi në fjalë është njëri ndër programet më të mëdha mbështetëse që posedon Bashkimi Evropian dhe si i tillë synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, mbrojtjen e konsumatorit përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave dhe përmirësimin e sektorit financiar”, njofton Lëvizja Vetëvendosje.

    Në këtë njoftim thuhet se përmes këtij programi të BE-së, “Tregu i Përbashkët”, bizneset dhe organizatat e Kosovës mund të ndërveprojnë me bizneset dhe organizatat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shteteve në proces të anëtarësimit në BE.

    “Ky program do të mbështesë sektorët e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme me një buxhet prej 4.2 miliardë euro për periudhën kohore 2021-2027, e që nga tani bizneset dhe organizatat vendore mund të përfitojnë nga ky program”, thuhet tutje në njoftim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!