×
  • Lajme
  • Lajme / Konferenca

    Escobar: Vendimi i sotshëm i Qeverisë për Manastirin e Deçanit i vështirë, por hap i domosdoshëm

    Reporteri
    13 Mars 2024 | 12:08

    Emisari amerikan, Gabriel Escobar pas takimit me presidenten e vendit, Vjosa Osmani foli për vendimin e Qeverisë së Kosovës për Manastirin e Deçanit,  që  siç bëri të ditur kryeministri Kurti pak më parë, i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale ta regjistrojë pronën Manastirit të Deçanit sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Escobar tha se ky ishte një vendim i vështirë për Kosovën, por hap i domosdoshëm.

    “Dua të përmend se sa shumë është i rëndësishëm vendimi i sotshëm për Manastrin, ky ishte vendim  i vështirë, por  hap i domosdoshëm dhe i falënderojmë institucionet e Kosovës për këtë hap”, tha Escobar.

    Emisari amerikan tha se me presidenten Osmani folën për situatën e sigurisë, teksa tha se SHBA-ja është e shqetësuar për ngjarjet e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Kosovë. Escobar nga Prishtina i ka bërë thirrje Serbisë që të nxjerrë para drejtësisë autorët e sulmit terrorist në Banjskë.

    Ai tha se do të ketë mjaft takime këto dy ditë në Kosovë për të diskutuar edhe për rregulloren e re të BQK-së, dhe siç tha Escobar për të ecur përpara me dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve. Diplomati amerikan tha se në këtë rrugë nuk është vetëm Kosova ajo që po i kërkohet të marrë vendime të vështira, por këtë gjë duhet ta bëjë edhe Serbia.

    “Faleminderit për mikpritjen tuaj. Ju jeni karakteri kryesor dhe trashëgimia e marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-së dhe Kosovës,  dua të them se kjo trashëgimi është e bazuar në një përkushtim të qëndrueshëm për sigurinë, integritetin territorial dhe do të vazhdojmë ta forcojmë këtë marrëdhënie edhe më shumë. Dua të përmend se sa shumë është i rëndësishëm vendimi i sotshëm për Manastirin, ky ishte vendim  i vështirë, por  hap i domosdoshëm dhe i falënderojmë institucionet e Kosovës për këtë hap. Në takimin tonë patëm një bisedë të sinqertë lidhur edhe me gjendjen e sigurisë. Jemi  tepër shumë të shqetësuar për ngjarjet  e 24 shtatorit dhe i bëjmë thirrje Serbisë që të gjithë ata që janë përgjegjës të dalin para drejtësisë dhe të japin llogari të plotë për atë sulm. Gjatë dy tre ditëve të ardhshme do të kem takime sepse kemi shumë punë për të diskutuar  për sfidat që po përballemi përfshirë  rregulloren e BQK-së, për të gjetur mënyra për të ecur përpara me dialogun dhe me zbatimin e Asociacionit, po jo vetëm atë. Që të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë të marrëveshjeve. Ne i bëjmë thirrje Serbisë që të zbatojë marrëveshjet. Nuk është vetëm kërkesë  unilaterale që vetëm Kosova të marrë ato vendime të vështira që marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet”, tha Escobar në konferencën për media.

    Kryeministri i Kosovës,  Albin Kurti ka njoftuar sot në Mbledhje të Qeverisë së Kosovës se i ka ka kërkuar Agjencisë Kadastrale ta regjistrojë pronën Manastirit të Deçanit sipas aktgjykimit të vitit 2016, të Gjykatës Kushtetuese.

    Kreu i ekzekutivit në Mbledhjen e Qeverisë bëri të ditur se Kosovës i është bërë e qartë që të zgjedhin mes dy opsioneve, të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të ecur përpara drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës këtë vit, apo të hiqet dorë nga çështja e Kosovës nga agjenda e anëtarësimit.

    “Pas një procesi masiv të takimeve, vizitave e të komunikimeve na është bërë e qartë se nga shumë kushte që kemi pasur për anëtarësim në Këshill të Evropës, disa janë konstatuar që janë plotësuar e disa janë listuar si çështje jo urgjente. Por, njëri mbetet dhe nuk do të hiqet. Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen që lidhet me Manastirin e Deçanit. Qeverisë i është bërë e qartë nga komiteti i Asamblesë Parlamentare, nga grupet politike kryesore në Asamble Parlamentare që përfaqësojnë parlamentet e shteteve anëtare, nga shtetet e QUINT-it që duhet të zgjedhim mes dy opsioneve: Të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje, me qëllim anëtarësimin në Këshill të Evropës këtë vit, apo heqjen e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit, rrjedhimisht heqjen dorë nga një qëllim demokratik e shtetndërtues”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

    Kurti njofton se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale ta regjistrojë pronën Manastirit të Deçanit, sipas aktgjykimit të Kushtetueses

    Gazeta Online Reporteri.net, javën që shkoi, raportoi me burime se Qeveria e Kosovës po punon në drejtimin e mënjanimit të pengesave që mund t’i paraqesë Agjencia Kadastrale e Kosovës karshi implementimit të aktgjykimit të vitit 2016 që njeh Manastirin e Deçanit si pronarin legjitim të 24 hektarëve tokë dhe pyje përreth, sikurse që ekzekutivi ka nisur komunikim me Komunën e Deçanit që drejtohet nga partia opozitare AAK, për ta bindur kryetarin Bashkim Ramosaj që të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!