Ka përfunduar seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, i akuzuar për “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Fatmir Sheholli është deklaruar i pafajshëm në seancën gjyqësore që po mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ai akuzohet për veprat penale: “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Gjatë deklarimit të tij para trupit gjykues, Sheholli ka thënë se nuk e pranon fajësinë për akuzat që rëndojnë ndaj tij.
“E ndjej veten plotësisht të pafajshëm”, ka deklaruar Sheholli në sallën e gjyqit.
Rasti ndaj Shehollit ka të bëjë me pretendime për lidhje me shërbimin inteligjent serb BIA, ndërsa në dosjen e rastit përmenden materiale dhe komunikime që prokuroria i ka konsideruar si prova në kuadër të hetimeve.
Sipas aktakuzës,Sheholli nga një datë e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si “BIA”, e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të zyrtarëve të tij.
Ai akuzohet se ka mbledhur, siguruar dhe përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Sheholli akuzohet për veprën penale “Shantazh”, pasi gjatë vitit 2022 deri në dhjetor 2025, e ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në shumën që tejkalon 13,000.00 euro.
Sipas aktakuzës, Sheholli i ka kërkuar të dëmtuarit para në emër të huazimit, duke e kërcënuar se, në rast të mosdhënies së parave, do të publikonte në media video-incizime dhe informacione që do t’i dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin e të dëmtuarit.