Një person është gjetur pa shenja jete mëngjesin e së martës në fshatin Jelloc të Klinës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka konfirmuar se vdekja e personit është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
“Sot, më datë 29.09.2026, rreth orës 06:20, Policia është njoftuar se në fshatin Jelloc, Komuna e Klinës, një person ishte gjetur pa shenja jete. Njësitë policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa në vendngjarje ka dalë edhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës”, ka deklaruar Rugova.
Ai ka bërë të ditur se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për obduksion.
Rasti është cilësuar si “Hetim i vdekjes” dhe po vazhdon të hetohet nga organet kompetente.