Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari uroi Gjeneralin Carsten Breuer, me rastin e zgjedhjes së tij si kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, duke shprehur urimet më të përzemërta në marrjen e kësaj detyre të rëndësishme për të ardhmen e aleancës.
“Roli dhe përgjegjësia përbëjnë një mundësi të veçantë dhe një përgjegjësi të rëndësishme për të kontribuar me profesionalizëm, përkushtim dhe integritet në realizimin e objektivave strategjike dhe në procesin e përafrimit të Republikës së Kosovës me NATO-n. Pranimi i kësaj detyre në një periudhë veçanërisht të ndjeshme për Aleancën përbën një mundësi të rëndësishme që, përmes vizionit dhe përvojës së tij, të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit, ndërtimin e partneriteteve afatgjata dhe mbështetjen e përpjekjeve për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit, veçanërisht në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Përvoja dhe njohja e drejtpërdrejtë e rajonit dhe e zhvillimeve në Kosovë, përfshirë shërbimin dhe vizitat e tij të mëparshme në vendin tonë, përbëjnë një bazë të rëndësishme për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit drejt arritjes së synimeve tona.
Gjeneral Jashari i uroi Gjeneralit Breuer suksese në ushtrimin e kësaj detyre, punë të mbarë dhe rezultate të rëndësishme gjatë mandatit të tij, të cilin pritet ta fillojë në verën e vitit 2027.
