Gjatë pastrimit të ish-Shkollës Teknike në Obiliq, punëtorët e Ndërmarrjes Publike Pastrimit “Kastrioti” në bodrumin e shkollës, kanë hasur pamje që kanë ngritur dyshime dhe shqetësim.
Sipas Policisë së Kosovës dhe antidrogës, në këtë objekt ishte tentuar kultivimi i disa substancave narkotike dhe nuk dyshohet për ndonjë varrezë masive siç u tha në fillim, raporton KosovaPress.
Pastrimi i ish shkollës, kishte filluar të bëhej pas vendimit të kryetarit të Obiliqit, Halil Thaçit që kjo shkollë të rikthehet dhe të filloj mësimi përsëri.
Në bodrumin e objektit, shihen thasë të mbushur me materiale të panjohura, të varur në tavan, ndërsa në hapësirat e bodrumit është evidentuar edhe një gropë e madhe.
I pranishëm ishte edhe kryetari i komunës, Halil Thaçi i cili kishte thënë se rasti po hetohet nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria.
Kjo shkollë që nga viti 1990, kur nxënësit ishin dëbuar nga forcat serbe, nuk kishte funksionuar më.