Aleanca nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së partisë.
Gjini tha se vendimi është mbështetur nga shumica dërrmuese e deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë së Aleancës, me arsyetimin se nuk duan, siç u shpreh ai, të legjitimojnë shkeljen e Kushtetutës.
“Dua me ju treguar që sot Aleanca ka konfirmuar vullnetin e shumicës dërrmuese të deputetëve, të anëtarëve të Kryesisë që nesër mos me marrë pjesë edhe mos me e legjitimuar shkeljen e vazhdueshme dhe brutale të Kushtetutës së Kosovës nga partia që ka fituar zgjedhjet”, tha Gjini.
Sipas tij, Kosova aktualisht ndodhet “plotësisht jashtë normës kushtetuese”.
Ai pretendoi se pas përfundimit të afatit të parë prej 30 ditësh, Aleanca kishte toleruar një interpretim politik të Kushtetutës nga partia fituese, ndërsa tash, sipas tij, ka përfunduar edhe afati i dytë.
“Kosova sot është plotësisht jashtë normës kushtetuese. Ne e dimë që edhe pas tridhjetë ditëshit të parë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, kemi qenë në të njëjtën, e kemi toleruar një interpretim politik të Kushtetutës nga vetë partia fituese, duke i dhënë vetes një tridhjetë ditësh tjetër prej atij tridhjetë ditëshi që ekziston bazë në interpretim të Kushtetutës nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ai.
Gjini kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, janë thirrur seancat e Kuvendit gjatë kësaj periudhe.
“E kemi parë që dy herë seanca është thirrur midis ditëve të fundit të skadimit të atij tridhjetë ditëshi, ndërsa këtë thirrjen e fundit, të cilën e kanë bërë katër ditë pas skadimit edhe të interpretimit të vetë politik, e shohim si fyerje ndaj Kosovës, fyerje ndaj qytetarëve, fyerje ndaj shtetit tonë edhe ndaj Kushtetutës edhe ndaj deputetëve”, tha Gjini.
Ai e cilësoi situatën si “totalisht të papërgjegjshme”, duke akuzuar përpjekjet për t’i vendosur institucionet mbi ligjin dhe Kushtetutën.
“Po mendojmë që është sjellje totalisht e papërgjegjshme edhe e tregon karakterin e njerëzve të cilët duan me çdo kusht, jo vetëm me treguar që janë mbi ligjin edhe mbi Kushtetutën, por edhe me u tallë me institucionet e Kosovës”, deklaroi ai.
Kreu i Aleancëstha se partia e tij kishte qenë e gatshme të merrte pjesë në seancë, nëse ajo do të thirrej deri të shtunën, kur, sipas tij, kishte skaduar afati i dytë 30-ditor.
“Aleanca ka qenë e gatshme me marrë pjesë në seancë sikur të thirrej deri të shtunën, kur edhe ka skaduar tridhjetë ditëshi i dytë. Kur e kemi kuptuar që nuk është thirrur as të shtunën, ne mendojmë që duhet me i dhënë një mesazh, duhet me treguar që nuk pranojmë me u fy kështu si institucion”, tha Gjini.
Në fund, ai tha se Aleanca synon që çështjen ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, në koordinim me partitë e tjera opozitare.
“Mendojmë që po fyehet Kuvendi, po fyehen deputetët, po fyehet Kosova, po fyehen qytetarët e Kosovës. Edhe një herë, në këtë seancë nuk do të marrim pjesë. Ajo që e pret Kosovën është patjetër një referendum në Gjykatën Kushtetuese, të cilën duhet me e dakorduar me dy parti të tjera, të cilat ende janë në opozitë”, tha Gjini.
Sipas tij, referimi në Gjykatën Kushtetuese është aktualisht “e vetmja rrugë” që, sipas Aleancës, mbetet për të trajtuar situatën institucionale.