Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka paralajmëruar se do të ndërmarrin hapa konkretë për mbrojtjen e rendit kushtetues. Në një bisedë për RTV21, deputeti Gruda tha se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, dhe LVV-ja po abuzojnë me afatet kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit.
“Kjo është tërësisht në shkelje të Kushtetutës. Përveç afatit 30-ditor, është shkelje edhe e afatit 48-orësh për të thirrur seancë. Avni Dehari ka abuzuar me Kuvendin vitin e kaluar, duke thirrur seanca çdo 48 orë dhe duke propozuar që LVV-ja të kishte një kandidat për kryetar, pa i pasur votat. Tash që i kanë votat, nuk propozojnë. Logjika është bllokimi. Ne nuk do të rrimë duarkryq dhe nuk do të lëmë mjet pa përdorur për ta rikthyer rendin kushtetues. Nuk mundet as zoti Kurti dhe as LVV-ja ta përmbysin rendin kushtetues të Kosovës.”,tha Grudq.