Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se s’ka qëllim për ta konstituuar Kuvendin.
Pasi u shty seanca për të premten si pasojë e mospajtimeve për nënkryetarët e Kuvendit, Gruda tha se, nëse LVV-ja siguron konstituimin e Kuvendit, deputetët e PDK-së do të votojnë në çfarëdo forme nënkryetarët e Kuvendit.
“Po vazhdon bllokada në Kuvendin e Kosovës. Ka ardhur sot partia që ka fituar zgjedhjet për një lojë të radhës politike. Po e them qëndrimin e PDK-së: PDK voton nënkryetarët e Kuvendit në çfarëdo forme qoftë, kah një, dy, tre, pesë, me votë të fshehtë apo të hapur, qyshdo qoftë, nëse LVV-ja siguron se do ta konstituojë Kuvendin. Ne votojmë në çdo formë dhe procedurë, pasi është një moment historik i 16 shtatorit. Ne nuk mund të kemi Kuvend më 16 shtator. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend normal demokratik që të shpikën lloj-lloj pengesash për të mos e konstituuar Kuvendin. Lista Serbe paska propozuar njëjtë vitin e kaluar dhe në vitin 2021. Qëndrimi i PDK-së është se voton çdo lloj procedure me kushtin që Kuvendi të konstituohet, por s’ka qëllim për konstituim”, theksoi ai.