Haradinaj: Shyqyr që ata që nuk punojnë në Kosovë, po gjejnë vend pune në Gjermani

Kryeministri Ramush Haradinaj ka folur rreth temës që është thirrur si seancë e jashtëzakonshme në Kuvend, mirëpo nga diku tjetër.


Duke u arsyetuar se “isha në detyra”, lidhur me këtë temë Haradinaj ka folur nga një konferencë për media, shkruan Reporteri.net.

Haradinaj në një formë është “gëzuar” që ata që nuk mund të gjejnë vende pune në Kosovë, këtë gjë po e bëjnë në Gjermani apo gjetkë. Sipas tij, ajo është një zgjidhje e cila, siç thotë ai, ndonëse është shqetësuese për shtetin, përbën një lajm të mirë për familjen.

“Për ata që s’kanë një vend pune këtu, e gjejnë në Austri, Gjermani apo Zvicër, ajo është një zgjidhje. Është shqetësuese, ato pamje janë shqetësuese, por ato pamje nuk janë veç të sotit, ne jetojmë me realitetet tona, realiteti jonë është që s’mund ta akumulojmë menjëherë gjithë këtë papunësi që kemi. Si qeveri, si institucione e kemi për detyrë të ndërmarrim masa për zbutjen e kësaj gjendje.  Këto pamjet para ambasadave kështu i kemi këto pamje, qe 10 vjet çdo ditë në mëngjes para ambasadës i kam pa njerëzit në Dragodan.  Ai që e gjenë një vend pune në Gjermai, ai gëzohet, edhe familja e tij gëzohet. Shyqyr ata që s’kanë një vend pune këtu, po gjajnë vende pune në Gjermani apo diku tjetër. Keq që nuk është këtu. Mungon një person në ekonominë e vendit dhe dami është i madh fatkeqësisht”, ka thënë kryeqeveritari.

Sidoqoftë, shefi i deputetëve të partisë së Haradinaj, Ahmet Isufi, duke folur në Kuvend tha se nevojitet një zgjidhje creative rreth problemit të ikjeve, e jo propagandë që, siç thotë ai, po e bën opozita.

Ndryshe, akuza e kundërakuza po ka edhe brenda koalicionit qeverisës, pasi këshilltari i kryeministri dhe ai i kryeparlamentarit, Halil Matoshi e Blerim Latifi, kanë polemizuar ashpër lidhur me fajtorin e ikjeve./Reporteri.net