Shqiptaro-amerikani, Harry Bajraktari, ka mohuar se ka ambicie për t’u bërë President i Kosovës, pas raportimit të gazetës online Reporteri.net se i njëjti po lobon në ShBA për këtë post.

Bajraktari ka thënë se vazhdon të mbështes presidenten aktuale, Vjosa Osmanin, edhe për një mandat, duke thënë se ajo është kandidatja e duhur.

“Për të shmangur çdo keqinterpretim, po e them qartë sërish: NUK KAM AMBICIE PËR T’U BËRË PRESIDENT I KOSOVËS”, ka shkruar Bajraktari.

Reklamë

“Interaktiv Talks” në Reporteri.net raportoi më herët duke u thirur burime të ndryshme të pavarura në Washington DC dhe New York, se Bajraktari po lobon që ai të jetë president.

Gazetari Xhemajl Rexha raportoi se Bajraktari po shpreson që Vetëvendosja nuk do ta nominojë Osmanin për Presidente, dhe se po lobon me kongresistë të shumtë që merren me Kosovën në ShBA, një ndër ta Richie Torres, për këtë pozitë.

“E ftoj publikisht të paraqesë qoftë edhe një fakt të vetëm që dëshmon se unë kam punuar kundër Presidentes Vjosa Osmani, apo kundër ndonjë Presidenti apo Kryeministri të Republikës së Kosovës. Një pretendim i tillë është i pabazë dhe absurd! Unë e kam mbështetur publikisht Presidenten Vjosa Osmani dhe vazhdoj të qëndroj pas vlerësimit tim se, ajo është kandidatja e duhur për një mandat të dytë si Presidente e Kosovës”, ka shkruar tutje Bajraktari.

Reklamë