×
  • Lajme
  • Lajme

    Ilir Zeqiri mund të jetë vrarë për borxh, kamerat mund ta zbardhin rastin

    Reporteri
    09 Prill 2019 | 19:02

    Një vrasje si në filma ka ndodhur dje në Skenderaj. 48-vjeçari Ilir Zeqiri u vra me pesë plumba për t’u djegur pastaj në veturën e tij. Ngjarja tragjike ka ndodhur në një rrugë të shmangur në fshatin Prekaz i Epërm, ndërkaq dëshmitarët kanë arritur të shohim tymin nga vetura që po digjej vetëm pas më shumë se një ore. Dyshimet e para të familjarëve janë se vrasja mund të ketë lidhje me një borxh që të ndjerit ia kishte dikush. Krejt rasti mund të zbardhet vetëm nga provat që ka hetuesia nga disa kamera të sigurisë.


    Gazeta Express sjell rrëfimin për rastin

    Kamera të sigurisë të vendosura në lokacione të ndryshme nëpër shtëpi e kompleksin “Adem Jashari” mendohet të jenë prova e fundit që mund të zbardhë fatin e Ilir Zeqirit nga fshati Kopiliq i Epërm i Skenderajt.

    48-vjeçari që bënte punën e taksistit është parë për herë të fundit duke kaluar nëpër rrugën që të çon në Prekaz të Epërm.

    Po aty, para varrezave të këtij fshati, Zeqiri dyshohet se është vrarë me pesë plumba. Vetura e tij e tipit Opel pas vrasjes është djegur gjatë kohës sa 48-vjeçari ishte brenda.

    Krejt kjo ngjarje tragjike ka ndodhur në një rrugë të shmangët para varrezave të fshatit ndërkaq tymi që u pa pas djegies së veturës alarmoi banorët që lajmëruan Policinë e Kosovës.

    Gazeta Express ka qëndruar sot gjatë ditës në Skenderaj. Nga rrëfimet e dëshmitarëve, familjarëve dhe atyre që kanë parë nga afër rastin mësohet se janë gjetur pesë kova të benzinit afër vendit ku është djegur vetura. Familja në anën tjetër ka dyshim se ngjarja mund të ketë ndodhur nga dikush që i kishte pasur një shumë të madhe borxh të ndjerit.

    Vendi ku ndodhi rasti tragjik

    Dëshmitari kryesor, H.L, ai që ka lajmëruar policinë për zjarrin duke folur për Gazetën Express thotë se nuk kishte dëgjuar zhurmë të plumbave, por, se kishte parë tymin rreth orës 17:40.

    “Rasti ka qenë kështu unë e kam shpinë këtu afër, e kam pa timin tu dalë, tim i zi, edhe e pashë që është e dyshimtë se aty afër nuk ka diçka që kallet ndonjë shpi ose diçka edhe i telefonova policinë thash nëse ka mundësi me ardh ata më kanë lajmëru që për pesë minuta vijnë në vend të ngjarjes edhe janë ardh ata bashkë me mu kemi shku e kemi kqyrë qysh u kanë kerri tu kallë nqat gjendje. Janë ardh policia janë ardh zjarrfikësat. Sipas policisë dyshohet se rreth orës 17:00 ka ndodhur rasti mirëpo dëshmitari po thotë se e ka parë tymin rreth orës 17:40 minuta.

    “Kur kemi shku vetura veç ish kanë kallë në tërësi”, deklarohet H.L.

    Si ndodhi krejt rasti – Çka dihet deri më tani?

    Si çdo ditë tjetër, 48-vjeçari Ilir Zeqiri edhe dje kishte dalë të punonte si taksist, punë që e ushtronte tash më shumë se 20 vite.

    Por, si rrallë herë nga vendi i punës do të ikte shumë më herët se zakonisht për të shkuar në shtëpinë e tij në Skenderaj nga ku do të qëndronte deri rreth orës 16:00. Nga aty do të dilte pa i treguar askujt se për ku ishte nisur.

    Kjo do të mbetej edhe hera e fundit që familja e shokët do të dëgjonin për të. Pak orë më vonë do të ju vinte lajmi se familjari i tyre ishte vrarë me pesë plumba e trupi i tij ishte djegur së bashku me veturën me të cilën punonte për të mbajtur familjen.

    Duke folur për Gazetën Express, vëllai i tij Ismail Zeqiri, rreshter në Policinë e Kosovës thotë se kishte marrë një telefonatë nga djali i të ndjerit dje pasi që i njëjti nuk ishte lajmëruar për disa orë.

    Familja e ngushtë po deklarohen se nuk kanë informacione se a mund të ketë marrë ndonjë thirrje nga dikush apo se për ku ishte nisur.

    “Familja më kanë tregu që rreth orës katër ka dalë prej shpisë. Ka dalë në qytet me punu nuk jemi të sigurtë a e ka thirrë dikush për me përcjellë me veturë apo jo këtë nuk e dimë. Djali i tina më thërret në telefon më thotë axhë a ka diçka se babi ka dalë në ora 4 edhe s’pe çel telefonin. Shoqja e tina deklaron se nuk ka thënë dikush që pe thirre veç se po del poshtë me punu si çdo ditë tjetër së paku nuk kemi ndonjë informacion. Pas gjysmë ore e kanë thirrë e aty kane fillu dyshimet e familjes kur nuk është lajmëru”, deklarohet Zeqiri, teksa shton se nuk kishte informacion se vëllai i tij mund të kishte probleme me dikën.

    E pamja

    “Kjo është edhe më shqetësuese për neve si familje se kurrë niherë nuk kemi mujt me vërejtë as unë as bashkëshortja e tina që ka pas problem kemi pas kontakte të rregullta po asnjëherë nuk e ka shfaq asnjë problem edhe nuk e besoj asnjëherë nuk e besoj që Iliri ka pas problem me dike”, thotë ai.

    Për Gazetën Express, vëllai i të ndjerit deklarohet se puna që e bënte Ilir Zeqiri me taksi nuk i sillte fitim, teksa tregon se shtatë vite pas luftës, veterani i UÇK-së, kishte jetuar në një strehimore në Skenderaj.

    Nga familja e tij ndërkaq Gazeta Express mëson se kanë dyshime se mund të bëhet fjalë për një borxh të vjetër që të ndjerit ja kishte një person. Siç bëhet e ditur flitet për një shumë më të madhe se 7 mijë euro.

    Në anën tjetër mësohet se kamerat e sigurisë të vendosura nëpër objekte të ndryshme rreth rrugës janë në duar të hetuesisë ndërkaq po shikohet se a ka qenë i ndjeri në veturë vetëm apo me dikë tjetër.

    Në vendin ku tash e sa vite Ilir Zeqiri punonte si taksist, miqtë e tij e kolegët thonë për Gazetën se ai dje kishte shkuar më herët se zakonisht nga puna, mirëpo kjo nuk ishte diçka e dyshimtë për ta sepse kishin menduar se kishte ndonjë klient për të dërguar në ndonjë vend.

    “E kemi pas shok dhe koleg. Djali mirë u kanë i shoqnumë u kanë si i ka ardh përfundimi nuk e dimë. Po ka dal dje në punë deri në ora 2 qashtu s’jemi të sigurt po deri në qat orë ka qenë këtu Na nuk e kemi vërejte sepse zakonisht nuk na dihet na thirr ni myshteri edhe ecim”, deklarohen ata.

    Familja hap dyert për të pame

    Shumë persona po drejtoheshin sot për ngushëllim në familjen Zeqiri në fshatin Kopiliq i Epërm i Skenderajt.

    Familjarë e miq të martën e përcollën për në banesën e fundit babanë e tre fëmijëve, 48-vjeçarin Ilir Zeqiri.

    Ata që po pritnin të pame, për të ndjerin flasin fjalët më të mira e vdekja e rrethanat se si ndodhi rasti janë të habitshme.

    48-vjeçari Ilir Zeqiri

    Vëllai i të ndjerit Ismail Zeqiri teksa tregon se të katër vëllezërit kishin qenë në luftë, thotë se për Ilirin nuk kishte asnjë vërejtje.

    “Kemi qenë katër vëllezër në luftë. Ai ka qenë një vëlla i mirë ka qenë një prind i mirë gjithashtu ka qenë një mik i mirë. Për të nuk e kemi pas as një vërejtje as na si familje as rrethi i gjanë”, thotë ai.

    Njëjtë për të flet edhe shoku i ngushtë Xhemail Zeqiri. Për Express ai thotë se i ndjeri kishte provuar të hyjë në punë disa herë mirëpo nuk kishte pasur fat, teksa shpjegon edhe se si mori vesh për rastin.

    Vendi ku ndodhi rasti tragjik

    “Çdo herë ka qenë aktiv me një fjalë shumë i shoqërueshëm. Prej pasluftës deri këtu ka punu vetëm si taksist nuk ka mujt me hi kërkun në punë. Personalisht sen nuk di. Para katër pesë dite kam kontaktuar me të. Absolutisht asnjë fjalë as që kam me dikanë as kurgjo. Nuk na kanë lanë policia me u afru ne kemi shku në ora 8 dikun. Me qatë kerr që ka punu e ka pas një veturë Pasat me benzin kerri është i djegur krejtë”, deklarohet.

    Edhe veterani i arsimit, Aziz Abazi thotë se Ilir Zeqiri ishte shumë punëtor.

    “Ka luftuar për idare për me bo një jetë më të mirë nuk ka qenë sherri i kurrkujt nuk ka qenë grindavec. Nuk ka qenë njeri i fjalëve shume ka qenë punëtor”, shton Abazi.

    Veteranit të UÇK-së, iu është dhënë lamtumira e fundit sot në varrezat e fshatit Kopiliq të Epërm të Skenderajt. 48-vjeçari ka lënë prapa gruan dhe dy fëmijët.

    Prokuroria dhe Policia

    Për vrasjen e rëndë që ndodhi dje në Skenderaj, Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Express se në vend të ngjarjes janë gjetur pesë gëzhoja të armës.

    Rreth orës 19:00 të datës 8 prill 2019, Policia ka pranuar informacion se ne fshatin Prekaz i Epërm te Skenderajt, një veture ishte kapluar nga zjarri. Drejtë vendit te ngjarjes me urgjencë kanë reaguar njësitë policorë dhe njësia e zjarrfikësve nga ku pas fikjes së zjarrit brenda në veturën e djegur është gjetur një trup i pajetë.

    Nga hetimet e para dyshohet se trupi i pajetë është i viktimës I. Z. rreth 48 vjeçar, ndërsa vetura e djegur me targa vendore ishte në pronësi të viktimës. Nga këqyrja e vendit te ngjarjes dhe hetimet fillestare të bëra nga hetuesit e Krimeve të Rënda në vendin e ngjarjes janë gjetur pesë gëzhoja të armës”, bëjnë të ditur Policia e rajonit të Mitrovicës.

    Ndërkaq në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë për Gazetën Express kanë bërë të ditur se dyshimet e para janë se bëhet fjalë për vrasje.

    “Ju konfirmojmë që me urdhër të prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë trupi i personit të vdekur është dërguar në obduksion, në mënyrë që të mësohet identiteti i tij. Dyshohet që bëhet fjalë për vrasje, vetura në të cilën është gjetur viktima është djegur tërësisht dhe hetimet po vazhdojnë”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!