×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Lexim i ligjit

    Juniku drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Asamble të Komunës, Kryesuesi u zgjodh me një ditë vonesë

    Autor:Lira Klaiqi
    22 Janar 2026 | 18:00

    Kuvendi Komunal i Junikut ka gjasa të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme për këshilltar lokal. MAPL me ligjin për Vetëqeverisjen Lokale obligohet ta njoftojë Qeverinë kur Komunat dështojnë ta zgjedhin Kryesuesin e Kuvendit të tyre brenda 30 ditësh nga themelimi. Kuvendi i Junikut e kreu këtë votim në ditën e 31-të. Me ligj, Qeveria mund ta shpërndajë kuvendin lokal, që shkaku i shkeljes së afatit të përcaktuar me ligj konsiderohet jofunksional.

    Ruzhdi Shehu më 12 dhjetor 2025 dha betimin për mandatin e dytë në krye të Junikut. Pos tij, në të njëjtën seancë u betuan edhe 15 asamblistët e Kuvendit Komunal, të dalë nga zgjedhjet e 12 tetorit 2025, duke themeluar kështu legjislaturën e re lokale në komunën e vogël të rajonit të Dukagjinit.

    Për dallim nga Shehu që me betimin para Kuvendit Komunal nisi funksionalizimin e mandatit të ri në krye të qytezës, përfaqësuesit e zgjedhur të asamblesë së Junikut kishin për obligim ta kryenin edhe një detyrë: Zgjedhjen e kryesuesit të tyre. Brenda afatit të caktuar. Në rastin e kundërt u rrezikohet mandati të 15-ve.

    Ligji për Vetëqeverisjen Lokale që rregullon funksionimin e Komunave dhe Kuvendeve të tyre Komunale, parasheh që kjo të bëhet brenda 30 ditësh nga themelimi i tyre.

    Në rast se nuk ndodhë, i njëjti ligj, nënparagrafin a) të paragrafit të dytë të nenit 50, me automatizëm parasheh që Kuvendi i Komunës konsiderohet jofunksionues, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Kuvendi i Junikut kryesuesin e zgjodhi tek më 12 janar 2026. 31 ditë pas betimit të kryetarit dhe këshilltarëve komunal, që nënkupton themelimin e legjislaturës së re lokale.

    Në krye të saj u vu Leonard Llolluni i AAK-së, i cili i siguroi edhe votat e LVV’së, duke ia marrë kështu opozita postin e rëndësishëm LDK-së, e cila me Ruzhdi Shehun qeverisë komunën.

    Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, në paragrafin 3 të Nenit 50, thotë se në raste të tilla kur kuvendi komunal konsiderohet jofunksional, pasi ka dështuar që brenda 30 ditësh ta zgjedhë Kryesuesin, Ministria përgjegjëse për qeverisje lokale [MAPL] e njofton Qeverinë e Republikës së Kosovës për mosfunksionimin e komunës.

    Qeveria mund ta shpërndajë kuvendin e komunës jofunksionues”, thuhet në të njëjtin paragraf.

    Shpërndarja e Kuvendit të Komunës, në këtë rast, nënkupton me automatizëm shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme vetëm për 15 përfaqësuesit e Kuvendit të Junikut, por jo edhe për Kryetar të Komunës, i cili në balotazhin e 9 nëntorit siguroi edhe katër vitet e ardhshme në krye të Junikut, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Zgjedhjet e reja për kuvendin e komunës mbahen në pajtim me ligjin për zgjedhjet komunale”, thuhet në paragrafin e 4 të Nenit 50 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.

    Të pyetur rreth kësaj situate të krijuar në Junik, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, të enjten, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kanë kthyer përgjigje nëse janë duke e shqyrtuar rastin dhe nëse Kuvendi Komunal atje do të shkojë në zgjedhje të reja, të jashtëzakonshme. As Qeveria e Kosovës nuk tregoi nëse janë njoftuar nga MAPL-ja për situatën në Junik dhe nëse do ta shpërndajë kuvendin e komunës jofunksionues.

    Bazuar në Ligjin për Zgjedhjet Lokale, data e shpalljes së zgjedhjeve nëpër komuna, pas shpërbërjes së Kuvendit Komunal, kur janë të parakohshme shpallen nga Presidenti i vendit, jo më vonë se 10 ditë nga shpërbërja e Asamblesë, nëse brenda 5 ditësh nuk parashtrohet ndonjë ankesë tek Gjykata Kushtetuese.

    Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë pas shpërbërjes”, thuhet në paragrafin 4 të Nenit 4 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale.

    Zgjedhjet e parakohshme qeverisen përmes ligjeve të njëjta dhe rregullat e KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç se KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore në rast se kjo nevojitet për shkak të rrethanave”.

    Për dallim nga Juniku, Mitrovica e Jugut e “evitoi rrezikun për zgjedhje të reja komunale” duke mbledhur Kuvendin lokal në mbrëmjen vonë të 12 janarit 2026, para se të hynin në ditën e 31-të të afatit. Aty Kryesues u zgjodh Safet Kamberi i LDK-së që arriti marrëveshje bashkëqeverisëse me Faton Pecin, kryetarin e komunës nga LVV-ja. /Reporteri.net/.

    Lajmi në Zhvillim
    MAPL: Kryesuesi i Komunës së Junikut u zgjodh në përputhje me ligjin
    4 Shkurt, 2026 - 15:06

    Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka vlerësuar se zgjedhja e Kryesuesit Komunal të Junikut, 31 ditë pas funksionalizmit të Kuvendit të ri, ishte në përputhje me ligjin.

    MAPL të mërkurën ka njoftuar gazetën online Reporteri.net, se votimi i 12 janarit 2026 për zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Junikut është në përputhje me ligjin. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal tha se vlerësimin e kreu në përputhje me mandatin e saj të përcaktuar me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Rregulloren për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive.

    Vendimin Nr. 2-180/265 të datës 12.01.2026, për zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Junikut, MAPL e ka vlerësuar se është në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”, njoftoi MAPL.

    Raporti i vlerësimit të ligjshmërisë është dërguar në komunë”, u tha tutje në njoftimin e dërguar në formë përgjigje për gazetën online Reporteri.net.

    MAPL, është e gatshme të ofrojë përkrahje dhe ndihmën e nevojshme, për zbatimin e plotë të obligimeve që dalin nga legjislacioni i zbatueshëm për vetëqeverisje lokale në Republikën e Kosovës”.

    Gazeta Online Reporteri.net, më 22 janar 2026, raportoi se Kuvendi Komunal i Junikut votimin për zgjedhjen e Kryesuesit e kreu në ditën e 31-të pas themelimit të legjislaturës së re komunale.

    15 asamblistët e Junikut, betimin në Kuvend e dhanë më 12 dhjetor 2025. Të njëjtën ditë u betua edhe kryetari i rizgjedhur Ruzhdi Shehu. Derisa, Kryesuesi i Kuvendit u zgjedh tek më 12 janar 2026-të, në ditën e 31-të pas betimit të kryetarit dhe këshilltarëve komunal. Në krye të saj u vu Leonard Llolluni i AAK-së, i cili i siguroi edhe votat e LVV’së, duke ia marrë kështu opozita postin e rëndësishëm LDK-së, e cila me Ruzhdi Shehun qeverisë komunën.

    Ligji për Vetëqeverisjen Lokale që rregullon funksionimin e Komunave dhe Kuvendeve të tyre Komunale, parasheh që zgjedhja e kryesuesit të bëhet brenda 30 ditësh nga themelimi i tyre. Në rast se nuk ndodhë, i njëjti ligj, nënparagrafin a) të paragrafit të dytë të nenit 50, me automatizëm parasheh që Kuvendi i Komunës konsiderohet jofunksionues, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Tutje, në paragrafin e 3-të të Nenit 50, të të njëjtit ligj, thuhet se në raste të tilla kur kuvendi komunal konsiderohet jofunksional, pasi ka dështuar që brenda 30 ditësh ta zgjedhë Kryesuesin, Ministria përgjegjëse për qeverisje lokale [MAPL] e njofton Qeverinë e Republikës së Kosovës për mosfunksionimin e komunës.

    Qeveria mund ta shpërndajë kuvendin e komunës jofunksionues”, thuhet në të njëjtin paragraf.

    Shpërndaje:
    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!