×
  • Lajme
  • Raporto
  • Live / Ligjshmëria

    MAPL: Kryesuesi i Komunës së Junikut u zgjodh në përputhje me ligjin

    Reporteri
    04 Shkurt 2026 | 15:06

    Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka vlerësuar se zgjedhja e Kryesuesit Komunal të Junikut, 31 ditë pas funksionalizmit të Kuvendit të ri, ishte në përputhje me ligjin.

    MAPL të mërkurën ka njoftuar gazetën online Reporteri.net, se votimi i 12 janarit 2026 për zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Junikut është në përputhje me ligjin. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal tha se vlerësimin e kreu në përputhje me mandatin e saj të përcaktuar me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Rregulloren për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive.

    “Vendimin Nr. 2-180/265 të datës 12.01.2026, për zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Junikut, MAPL e ka vlerësuar se është në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”, njoftoi MAPL.

    “Raporti i vlerësimit të ligjshmërisë është dërguar në komunë”, u tha tutje në njoftimin e dërguar në formë përgjigje për gazetën online Reporteri.net.

    “MAPL, është e gatshme të ofrojë përkrahje dhe ndihmën e nevojshme, për zbatimin e plotë të obligimeve që dalin nga legjislacioni i zbatueshëm për vetëqeverisje lokale në Republikën e Kosovës”.

    Gazeta Online Reporteri.net, më 22 janar 2026, raportoi se Kuvendi Komunal i Junikut votimin për zgjedhjen e Kryesuesit e kreu në ditën e 31-të pas themelimit të legjislaturës së re komunale.

    15 asamblistët e Junikut, betimin në Kuvend e dhanë më 12 dhjetor 2025. Të njëjtën ditë u betua edhe kryetari i rizgjedhur Ruzhdi Shehu. Derisa, Kryesuesi i Kuvendit u zgjedh tek më 12 janar 2026-të, në ditën e 31-të pas betimit të kryetarit dhe këshilltarëve komunal. Në krye të saj u vu Leonard Llolluni i AAK-së, i cili i siguroi edhe votat e LVV’së, duke ia marrë kështu opozita postin e rëndësishëm LDK-së, e cila me Ruzhdi Shehun qeverisë komunën.

    Ligji për Vetëqeverisjen Lokale që rregullon funksionimin e Komunave dhe Kuvendeve të tyre Komunale, parasheh që zgjedhja e kryesuesit të bëhet brenda 30 ditësh nga themelimi i tyre. Në rast se nuk ndodhë, i njëjti ligj, nënparagrafin a) të paragrafit të dytë të nenit 50, me automatizëm parasheh që Kuvendi i Komunës konsiderohet jofunksionues, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Tutje, në paragrafin e 3-të të Nenit 50, të të njëjtit ligj, thuhet se në raste të tilla kur kuvendi komunal konsiderohet jofunksional, pasi ka dështuar që brenda 30 ditësh ta zgjedhë Kryesuesin, Ministria përgjegjëse për qeverisje lokale [MAPL] e njofton Qeverinë e Republikës së Kosovës për mosfunksionimin e komunës.

    “Qeveria mund ta shpërndajë kuvendin e komunës jofunksionues”, thuhet në të njëjtin paragraf.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!