×
  • Lajme
  • Lajme

    Kërkohet të përshpejtohet ekspertiza nga Loziana për rastin Dehari

    Reporteri
    14 Prill 2019 | 16:09

    Ekspertiza mjeko-ligjore e cila do të zbardhë më shumë detaje rreth vdekjes së Astrit Deharit ende nuk është përfunduar nga ana e Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës. Prokuroria e Prizrenit i ka dërguar kryeprokurorit Lumezi disa shkresa për përshpejtimin e lënës, por ende nuk kanë marrë përgjigje.


    Pakurori, Metush Biraj, ka thënë se ende s’kanë marrë përgjigje nga Kryeprokurori i Shtetit për kërkesën drejtuar lidhur me rastin Dehari.

    “Ende nuk kemi asgjë të re nga hetimet. Jemi duke e pritur përgjigjen për disa kërkesa që tashmë i kemi drejtuar në kryeprokurori. Ato kanë të bëjnë me përshpejtimin e lëndës. Tash po presim në mos zyra e kryeprokurorit përgjigjet rreth kërkesës që tashmë ia kemi bërë para një muaji”, tregon Biraj.

    Prokurori, tregon se rasti sa i përket prokurorisë së Prizrenit është i përfunduar.

    Ndonëse raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë e ka vlerësuar si vetëvrasje, familjarët me këtë konstatim nuk u pajtuan dhe prandaj kërkuan hetim të pavarur ndërkombëtar, i cili tani po zhvillohet në Qendrën Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës. Raporti atje u dërgua para një viti.

    Rreth kësaj çështjeje, në T7, babai i të ndjerit Astritit, Avni Dehari kishte deklaruar se hetimet po vazhdojnë dhe se hetuesit ndërkombëtar i kanë pranuar të gjithë materialin e nevojshëm për hetim nga organet hetimore në Kosovë.

    Ai thotë se deklaratat kontradiktore të prokurorëve dhe gjykatësve për vdekjen e djalit të tyre, i kanë shtyrë ata që të dyshojnë edhe në raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë.

    Kishte thënë se do e pranojnë juridikisht çfarëdo rezultati që vjen nga hetuesit ndërkombëtar, por shprehet i sigurt se e njëjta dorë i ka vrarë të dy djemtë e tyre, Arbnor dhe Astrit Deharin.

    Astrit Dehari ishte aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, u arrestua më 30 gusht të vitit 2016, i dyshuar se bashkë me aktivistë të tjerë sulmuan Kuvendin e Kosovës. Ai vdiq më 5 nëntor të po të njëjtit vit, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore rreth shkaqeve të vdekjes së Astrit Deharit më 18 nëntor 2016 doli në përfundim se Dehari ka bërë vetëvrasje, por rezultatet e këtij raporti nuk u pranuan nga prindërit e të ndjerit.

    Në tetorin e vitit të kaluar Qeveria e Kosovës me kërkesë të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri ka ndarë mjetet financiare në shumën prej 50 mijë eurove për ekspertizë shtesë jashtë vendit në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!