Komandanti i KFOR-it dhe ai i “Bondsteel-it” flasin për gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës

Dy komandantët, ai i KFOR-it dhe i bazës ushtarake Bondsteel kanë thënë se gjendja e sigurisë në Kosovë është e mirë dhe ecja e ushtarëve shqiptarë nuk është çështje provokimi.


“Askush nuk duhet të ndjehet i kërcënuar, sepse oficerët e NATO-s ecën në veri. Nuk ishte provokim, por takim i rëndësishëm”.

Kështu e komenton komandanti i KFOR-it, Lorenzo D’Adario një gjë që ndodhi javën e kaluar që sipas mediave serbe shqetësoi serbët e veriut.

“Ishin oficerë nga vende të ndryshme të NATO-s të cilët shkuan në takim. Mes tyre kishte oficerë shqiptarë të dërguar nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë. Shqipëria ka qenë anëtare e NATO-s tash e një kohë të gjatë”, tha D’Adario për mediet serbe, përcjell lajmi.net.

Siç thotë ai, KFOR-i duhet të praktikojë çdo ditë të qenit gati për ndonjë gjë edhe pse nuk presin ndonjë problem.

“Ne ushtarët bëjmë dy gjëra: mbajmë çizme të pastra dhe bëjmë praktikë. Është puna jonë. Ne i ftojmë të gjithë njerëzit në veri të Kosovës të bisedojnë me përfaqësuesit e KFOR-it në komunat e tyre, t’i drejtojnë problemet dhe të japin këshilla. Ne kryejmë ushtrime sepse duam të ndihmojmë të gjithë popujt në Kosovë pa dallime”, tha D’Adario, duke shtuar se ai ka një komunikim të shëndoshë me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Serbe, Milan Mojsiloviq.

Komandanti i bazës ushtarake amerikane në Bondsteel, Roy Makereg ka theksuar se ka bashkëpunim në nivel ditor me forcat serbe.

“Kam një ekip që komunikon çdo ditë me forcat serbe, të bëra nga profesionistë të mëdhenj. Kemi sinkronizuar patrullat shumëkombëshe që përveç amerikanëve kemi edhe ushtarë holandezë, turq dhe rumunë. Ne të gjithë shijojmë përvojën e re, takojmë njerëz dhe kultura të reja”, tha ai për mediet serbe, duke theksuar se në Bondsteel aktualisht ka 800 ushtarë.

Të dy komandantët kanë deklaruar për mediet serbe se gjendja e sigurisë në Kosovë është në kontrollë dhe nuk priten raste të incidenteve.