Komandanti i Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU) të KFOR-it, koloneli Gianfranco Di Fiore, ka vizituar pjesëtarët e kësaj njësie që veprojnë në Mitrovicë.
Sipas KFOR-it, gjatë vizitës Di Fiore vlerësoi gatishmërinë, disiplinën dhe profesionalizmin e pjesëtarëve të MSU-së në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë.
MSU-ja vazhdon të ketë rol në ruajtjen e pranisë, lëvizshmërisë dhe kapacitetit të KFOR-it për t’iu përgjigjur zhvillimeve të sigurisë në terren.
Njësia kontribuon gjithashtu në rritjen e vetëdijes situacionale dhe në sigurimin e një pranie të dukshme të KFOR-it, duke qenë e gatshme të angazhohet në zona të ndryshme, në varësi të nevojave.
Gjatë takimit me pjesëtarët e MSU-së, koloneli Di Fiore tha se është krenar me disiplinën dhe përkushtimin që ata tregojnë në punën e përditshme.
Ai shprehu besimin se pjesëtarët e njësisë janë të përgatitur për të vazhduar mbështetjen e misionit të KFOR-it edhe gjatë fazës aktuale të optimizimit të pranisë së forcës.
Di Fiore zhvilloi takim edhe me pjesëtarët e Ekipit për Ndërlidhje dhe Monitorim të KFOR-it (LMT K2), duke vlerësuar angazhimin e tyre në ruajtjen e dialogut dhe kontakteve me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve në terren.