Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës.
Justina Shiroka-Pula është votuar për presidente e Republikës së Kosovës, trembëdhjetë minuta pas mesnatës.
Votimi në Kuvend ka zgjatur deri në 3 minuta pas afatit kushtetues.
Shiroka-Pula ka marrë 81 vota.
Pas votimit, ajo ka lexuar betimin si presidente derisa është intonuar më pastaj edhe himni i Kosovës.
Në fjalimin e saj pas zgjedhjet presidente, Justina Shiroka-Pula, ka thënë se do të jetë presidente e gjithë qytetarëve të Kosovës.
Ajo ka thënë se e pranon me nder të madh e përgjegjësi postin e presidentes.
“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan. Do të jem presidente e gjithë qytetarëve”, tha Shiroka-Pula. “Do të punojë për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona. Kosova duhet të ecë përpara si shtet demokratik, sigurt me orientim të qartë euroatlantik e me miqësi të fortë me aleatët tanë. Do ta mbrojë Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, njerëzit e saj dhe besoj së bashku mund të ndërtojmë të ardhme më të mirë për brezat që vijnë. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës”.
Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ishte propozim i momentit të fundit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Propozimi u pranua nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza dhe kundërkandidate u propozua Eliza Hoxha, deputete e PDK-së.
Seanca e jashtëzakonshme, me dy pika të rendit të ditës, nisi rreth 35 minuta para mesnatës, që ishte afati i fundit për zgjedhjen e presidentit.
Fillimisht u votuan ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa më pas nisi një votim “flash” për presidenten.
Votimi përfundoi në ora 00:03, ndërsa rezultati i kumtuar u bë në ora 00:14. Shiroka-Pula u zgjodh me 81 vota për. Ajo mbajti betimin si presidente.
Kush është Justina Shiroka Pula?
Justina Shiroka Pula është kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).
Në biografinë e publikuar në faqen e ASHAK-ut thuhet se Shiroka-Pula u lind më 1953 në Prishtinë. Shkollën fillore (1968) dhe të mesmen (1972) i kreu në Prishtinë. Diplomoi me sukses në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, në vitin 1976. Studimet pasuniversitare, në fushën e Teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik, i vijoi në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Zagrebit, ku u diplomua në vitin 1984. Sipas biografisë Shiroka-Pula u doktorua në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës (1977), duke mbrojtur tezën e doktoratës me titull ”Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Pas diplomimit, ajo punoi për një kohë të shkurtër në Bankën Popullore të Kosovës. Në vitin 1978, nisi karrierën e gjatë akademike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës si asistente për lëndën “Kërkimet Operacionale”. Kaloi nëpër të gjitha rrethet e avancimit akademik, duke u zgjedhur Profesore Ordinare në vitin 2004. Gjatë karrierës ka shërbyer si Shefe e Departamentit të Menaxhmentit dhe Informatikës, anëtare e Senatit të UP-së dhe anëtare e Bordit Drejtues të UP-së. Ka kryer studime dhe trajnime post-doktorale jashtë vendit, duke përfshirë Universitetin e Lincit në Austri dhe Universitetin e Arizonës në SHBA.
Shiroka-Pula ka mbajtur edhe pozita të larta publike. Ka shërbyer si Ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës gjatë viteve 2008–2011, si dhe ishte deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e PDK-së gjatë viteve 2011–2014.
