Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka dënuar sulmet e vazhdueshme të Huthëve ndaj Arabisë Saudite, përfshirë tentativat për sulme ndaj Riadit dhe qytetit të shenjtë të Mekës.

Përmes një postimi në platformën X, Konjufca i ka cilësuar këto zhvillime si një përshkallëzim të rrezikshëm dhe ka shprehur solidaritetin e Kosovës me Arabinë Saudite.

“Sulmet e vazhdueshme të Huthëve ndaj Arabisë Saudite, përfshirë tentativat për sulme ndaj Riadit dhe qytetit të shenjtë të Mekës, shënojnë një përshkallëzim të rrezikshëm, të cilin e dënojmë fuqishëm”, ka shkruar Konjufca.

Reklamë

Ai ka riafirmuar mbështetjen e Kosovës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Arabisë Saudite.

Konjufca ka bërë gjithashtu thirrje për ndaljen e sulmeve ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile, si dhe për respektimin e lirisë së lundrimit në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

“Sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile duhet të ndalen, ndërsa liria e lundrimit duhet të respektohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, ka shkruar ai.