Tentimi i 49-të për konstituimin e Kuvendit nuk prodhoi asgjë të re. Të shtunën, deputetët u mblodhën dhe u shpërndan pa ndonjë rezultat.
Vetëm 50 deputetët votuan për formimin e komisionit të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, nga 90 deputetë sa ishin në sallë.
Nga PDK, LDK e AAK pas dështimit të seancës kritikuan Lëvizjen Vetëvendosje për pengmarrje të institucionit ligjvënës, duke thënë se partia e Kurtit nuk e ka kuptuar që pushteti nuk është pronë personale e tyre, shkruan Reporteri.net.
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje erdhi në pushtet përmes dhunës politike, sulmeve ndaj institucioneve, pëçarjes e urrejtjes.
Ai tha se sot institucionet e Kosovës janë të uzurpuara nga një parti që nuk njeh ndarjen e pushtetit, edhe kur rendi kushtetues kërkon ndryshim.
Behrami tha tutje se Kosova duhet të mbrohet nga ata që gjithmonë e kanë braktisur e gërryer, duke iu referuar VV-së.
“VV nuk ka shkelur vetëm Kushtetutën por edhe Konventat për të drejtat e njeriut”, tha ai.
Depuetja e LDK-së, Arjeta Abazi, tha se Kuvendi ka ngecur, dhe fajin ia hodhi partisë së parë, Lëvizjes Vetëvendosje.
“Seancë pas seance nuk po arrijmë të ecim përpara. Kuvendi është kthyer në një teatër të stërgjatur, ku për fat të keq aktorët kryesorë janë më të interesuar për skenën, sesa për skenarin. Nuk po ndalemi për ndonjë shkak të emergjencë apo fatkeqësie natyrore, për shkak të një partie që ende nuk e ka kuptuar që pushteti nuk është pronë personale”, tha Abazi.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka bllokuar institucionet e Kosovës.
Ajo thotë se Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vendim tjetër, nëse deri më 26 korrik nuk do të konstituohet parlamenti.
“Kësaj sage duhet t’i jepet fund me një vendim tjetër, ku pas një muaji, këtij deputeti i merret e drejta e kandidimit nëse deri më datë 26 korrik nuk e konstituon Kuvendin”, tha Kadrijaj.
Seanca e radhës do të mbahet të hënën nga ora 11:00. /Reporteri.net/.
.