Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pas intervistës së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga Haga.
Ai vlerësoi se kjo intervistë, “më shumë se rrëfim, ishte një thirrje: të qëndrojmë, të ecim drejt, e të mos dorëzohemi asnjëherë.”
“Sonte, Presidenti Hashim Thaçi na foli nga Haga. Jo si ish-President. As si një burrë që ka kaluar gati pesë vite në qeli. Por si një njeri që ende e mbron me shpirt luftën dhe sakrificën për liri.
I mprehtë. I kthjellët. Plot interes për vendin dhe të ardhmen e tij, si gjithmonë. Reflektues. I thellë. Por mbi të gjitha, i paepur në bindjen e tij për drejtësinë e kauzës që e kemi ndjekur si popull.
Ai nuk ankua. Nuk kërkoi mëshirë. Siç e tha, dhe siç e dijmë, Hashim Thaçi nuk do t’ia ndërronte rrugën jetës, edhe sikur ta dinte çmimin paraprakisht. E këtë nuk e thotë për vete, por për ne, për gjeneratat që duhet të ecin përpara pa harruar sakrificën.”, ka shkruar Krasniqi.
Ai foli edhe për vdekjen e babait të Thaçit,
“Sa ishte në Hagë i vdiq babai. Nuk ishte aty për t’ia mbyllur sytë. Por sytë e Presidentit Thaçi janë ende të hapur për Kosovën. Dhe për drejtësinë – që bashkë me çlirimtarët e tjerë po e pret me durim e urtësi.”, ka shkruar Krasniqi.
Ai tha se “të gjithë kemi çfarë të mësojmë nga Hashim Thaçi. Sonte, edhe më shumë.”
“Të presim me padurim në Kosovë, President!”, ka shkruar Krasniqi.