Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zgjeruar hetimet në rastin e dyshimeve për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).

Sipas njoftimit të përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë, më 1 shtator hetimet janë zgjeruar ndaj 21 personave të dyshuar, punëtorë të BKS-së, nën dyshimin e arsyeshëm për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”, nga neni 330 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Personat e intervistuar janë: Afrim Kryeziu, Arta Kastrati, Dorontina Stublla, Lindita Cakaj, Meriton Berisha, Lavdim Statovci, Saranda Sogojeva, Vanessa Gashi, Liridon Makolli, Fatima Hamiti Restelica, Ilir Prapashtica, Faik Sylejmani, Valmir Rexha, Edona Ahmeti, Rrezarta Tafilaj dhe Bashkim Vitija.

Reklamë

Prokuroria ka bërë të ditur se, nga veprimet hetimore të deritanishme, ekziston dyshimi se të pandehurit, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e brendshme të BKS-së, kanë mundësuar ose kanë marrë pjesë në bartjen dhe përfitimin e shumave të parave pa mbulesë.

Sipas dyshimeve, vlerat për person variojnë nga 2 mijë deri në 53 mijë euro, ndërsa veprimet e reja dyshohet se i kanë shkaktuar BKS-së një dëm shtesë prej rreth 200 mijë eurosh.

Të dyshuarit janë intervistuar në Stacionin Policor në Prishtinë nga zyrtarët e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Kryeprokurorin dhe Zëvendëskryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, si dhe një prokuror të kësaj prokurorie.

Krahas hetimit penal, Prokuroria Themelore në Prizren ka zhvilluar paralelisht edhe hetim financiar, në bashkëpunim me Njësitin e Hetimeve të Integruara Financiare të Policisë së Kosovës.

Qëllimi i këtij hetimi ka qenë identifikimi, gjurmimi dhe sigurimi i pasurisë që dyshohet se lidhet me veprat penale dhe përfitimet e realizuara nga aktiviteti i kundërligjshëm.

Reklamë

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe financiare, më 1 shtator janë sekuestruar dhe ngrirë gjithsej 35 prona, përfshirë parcela kadastrale, njësi banesore dhe njësi garazhuese.

Sipas Prokurorisë, këto prona ndërlidhen me tre të pandehurit kryesorë, ndaj të cilëve ekziston dyshimi për përfshirje në veprimet kriminale që kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar ndaj BKS-së.

Po ashtu, gjatë ditës së sotme, Prokuroria, në bashkëpunim me Njësitin e Inteligjencës Financiare, ka urdhëruar ngrirjen e 21 llogarive bankare të personave të dyshuar.

Me veprimet e identifikuara në fazën fillestare të hetimit, dëmi i shkaktuar ndaj BKS-së ishte vlerësuar në rreth 1 milion e 43 mijë euro.

Reklamë

Ndërkaq, pas zgjerimit të hetimeve dhe identifikimit të veprimeve të reja të dyshuara, është evidentuar edhe një dëm shtesë prej rreth 200 mijë eurosh.

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe procedurale për zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave për të cilët do të vërtetohet përgjegjësia penale.