×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeshefi i Telekomit ‘kërcënon’ ata që po nxjerrin në publik informacionet për punësimet partiake

    Reporteri
    15 Mars 2019 | 22:09

    Kryeshefi i Telekomit kërcënon ata që po nxjerrin informacione në publik
    Në përfundim të orarit të punës, këtë të premte, mbi 2,500 punëtorët e Telekomit të Kosovës, kanë marrë një kërcënim të hapur nga shefi i ri i tyre, Bedri Istrefi.


    Menaxhmentit i Telekomit dhe drejtorëve të drejtorive respektove, kanë ardhur në përfundim se punonjës të tyre janë duke u angazhuar në punë të kundërligjshme dhe shpërndarje të dokumenteve e informacioneve te palët e treta, raporton KTV.

    Madje, sipas kësaj letre, rrjedhja e dokumenteve në publik është duke e rrezikuar seriozisht “ristrukturimin e Telekomit.”

    “Përderisa përmbajtja e dokumenteve të ndara me palët e treta është e pacaktuar ende, ky problem është duke e ndikuar dhe rrezikuar seriozisht projektin e ristrukturimit të Telekomit të Kosovës Sh.A., rishikimin dhe ndërprerjen e kontratave jo të favorshme dhe angazhimeve tjera në dobi të Telekomit”, thuhet në letër.

    Menaxhmenti i Telekomit, i cili ka heshtur para secilës pyetje për qindra punësime klanore e për kontratat e dëmshme të drejtuar nga mediat, u është zotuar punëtorëve se punon me transparencë të plotë, duke respektuar ligjet në fuqi e në interes të korporatës.

    Për më tepër, në letrën që mban nënshkrimin e Istrefit, orientohen punëtorët që problemet dhe paligjshmërinë t’i raportojnë te strukturat disiplinore të Telekomit, Prokuroria dhe Policia e Kosovës.

    Tutje, sinjalizuesit kërcënohen me ndjekje penale për rrjedhjen e informacioneve.

    “ Rrjedhja e dokumenteve dhe informacioneve konfidenciale të korporatës te palët e treta dhe shfrytëzimi i këtyre për presione dhe denigrim të Telekomit, paraqet shkelje të rëndë të obligimeve të punës dhe përgjegjësive penale dhe civile”, thuhet ndër të tjera në këtë letër.

    Aty bëhet e ditur se, me efekt të menjëhershëm, është urdhëruar krijimi i një komisioni disiplinor, i cili do të ndërmarrë masa kundër personave përgjegjës që vërtetohet se kanë nxjerrë dokumentet në publik.

    Ndërkaq, në fund theksohet se personat e vetëm të autorizuar për komunikim të jashtëm dhe të brendshëm janë kryeshefi Bedri Istrefi dhe shefi i Zyrës për Informim, Arsim Bilalli.

    Ndryshe, pak më herët është raportuar se, pozitë shumë të rëndësishme brenda Telekomit, ka marrë muajin e kaluar edhe Vesmira Haxhaj – Haradinaj. Zëvendësdrejtoresha e re e Financave në ndërmarrjen publike, është kunata e kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj – gruaja e vëllait të tij, Frashër Haradinaj.

    Madje, bëhet e ditur se ajo këtë pozitë e ka marr pa u shpallur fare konkurs dhe rroga e saj shkon rreth 2,200 euro.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!