×
  • Lajme
  • Lajme

    Kthehet në Kosovë edhe pianistja që dyshohet se në Siri e çoi Shefqet Krasniqi

    Reporteri
    20 Prill 2019 | 19:17

    Autor: Mentor Gjergjaj


    Në mesin e 32 grave të kthyera nga Siria në Kosovë është edhe një pianiste.
    Venera Ademi është gruaja që la pas ëndrrën e saj, pianon dhe u nis për në Siri, ku u martua dhe krijoi familje, shkruan Reporteri.net


    Ajo qysh fëmijë ishte shpërblyer me tre çmime për talentin e saj. Por, çdo gjë për të ndryshoi kur ishte në vitin e dytë të shkollës së mesme. Takoi imamin Shefqet Krasniqi dhe me rregull dëgjoi ligjëratat dhe mësimet e tij

    Ishte nëna e saj, Nasere Ademi e cila kishte deklaruar se arsyeja pse vajza e saj shkoi në Siri është Shefqet Krasniqi.

    Venera Ademi kishte mbërritur në Siri, kur përmes një mesazhi elektronik e kishte njoftuar nënën e saj Nasere Ademin për rrugën që kishte marrë. Kjo e fundit, menjëherë kishte shkuar në Polici për të rrëfyer gjithçka që di rreth vajzës së saj dhe raportit të saj me imamin Shefqet Krasniqi.

    Këto bëhen të ditur në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, e ngritur më 27 shkurt 2017, ndaj imamit të Xhamisë së Madhe të kryeqytetit “Mehmet Fatih”, shkruan reporter.net
    Nasere Ademi, në denoncimin e saj në Polici, më 20 korrik 2016, sipas aktakuzës, ka deklaruar se vajza e saj Venera ka qenë e shkëlqyer, e sjellshme, dhe e talentuar për muzikë. Ajo ka treguar se e reja, sa ishte në shkollë fillore, kishte fituar tri çmime në fushën e muzikës, derisa ka vijuar edhe shkollën për piano. Mirëpo, sipas Ademit, Venera në vitin e dytë të shkollës së mesme filloi të ndryshojë sjellje.

    Naserja ka treguar se vajza e saj, bashkë më shokët e klasës, kishin filluar që në mënyrë të organizuar të falnin xhumanë në Xhaminë e Madhe të Prishtinës, imam i së cilës ishte Shefqet Krasniqi.

    Në denoncimin e saj, Nasere Ademi kishte potencuar se nga ajo kohë Venera kishte filluar të tregojë suksese të dobëta në mësime dhe mungesa në orët shkollore, ndërsa përkushtimi i madh ndaj fesë e kishte bërë atë të mbante edhe mbulesë për kokën.
    “Fakt i cili nuk ishte pritur mirë nga familja”, theksonte aktakuza.

    Tutje thuhej se Venera Ademi, e cila ndodhej që nga 2016-ta në Siri, përveçse ishte dëgjuese e rregullt e ligjëratave të Shefqet Kransiqit, kishte dëgjuar edhe derset e imamit mitrovicas Enes Rama, që në shtator të 2014-ës qe arrestuar bashkë me Krasniqin.

    “Dëshira e Veneres ishte që ligjëratat e Enis Ramës dhe Shefqet Krasniqit t’i dëgjojnë edhe anëtarët tjerë të familjes, si dhe shpesh herë ajo i kishte thënë dëshmitares – nënës – se edhe ajo duhet të shkojë më të në xhami”, shkruan në aktakuzë, duke iu referuar njërës nga deklaratat e Nasere Ademit për vajzën e saj.

    “Ajo është viktimë e këtij ndikimi, dhe ky ndikim ka gjetur shtrirje tek gjeneratat e reja duke prekur emocionet e tyre”, u ka thënë hetuesve nëna e vajzës nga Prishtina që përfundoi në luftën e shtetit islamik në Siri.

    Sipas Nasere Ademit, Venera disa ligjërata të Krasniqit kishte filluar t’i dëgjojë edhe përmes lap-topit, në prani të familjareve tjerë, por pasi ata e kishin penguar ta bëjë një gjë të tillë, ajo kishte vazhduar t’i dëgjojë e vetme, me kufje në vesh, shkruan Reporteri.net.

    “Mospajtimet në mes dëshmitares dhe vajzës së saj për mënyrën se si praktikonte fenë kishte bërë që Venera të mbyllej në vetvete dhe të dëgjonte ligjërata e vetme e mbyllur në shtëpi, madje dëshmitarja tregon se vajza e saj nuk kishte dal për dy muaj nga shtëpia duke konsumuar kohen me literaturë fetare, ndërsa këshillat e saj si nënë për këtë qasje të saj nuk ishin marrë parasysh asnjëherë”, thuhej në akuzën për terrorizëm të Prokurorisë Speciale ndaj Shefqet Krasniqit, i cili në fund të procesit u shpallë i pafajshëm.

    Dëshmitarja, në prokurori kishte treguar se herë pas herë komunikon përmes internetit me vajzën e saj Venerën, e cila i kishte treguar se është martuar dhe ka krijuar familje.
    “Ajo atje është martuar dhe ka krijuar familje”, kishte thënë ajo.

    Por, Nasere Ademi asnjëherë nuk erdhi në gjykatë për të dëshmuar kunder Shefqet Krasniqit, i cili në mars të vitit të shkuar u lira nga aktakuza për terrorizëm.

    Ndryshe, Venera Ademi është në mesin e mbi 100 personave të kthyer mbrëmë nga Siria, për të cilën ngjarje raportoi ekskluzivisht Gazeta Online “Reporteri.net”.

    Gjithçka çfarë ndodhi mbrëmë në aeroportin e Prishtinës – si u sollën në Kosovë mbi 100 gra dhe fëmijë të xhihadistëve shqiptarë të vrarë në Siri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!