Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me homologun e tij malazez, Milojko Spajiq, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, të mbajtur më 22 tetor në Shën Stefan të Malit të Zi.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se e ka përgëzuar Malin e Zi për hapat drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se Kosova është e interesuar të mësojë nga përvoja e këtij vendi.

Kurti ka përmendur se Kosova ende pret marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Reklamë

Postimi i tij i plotë:

Takimin përmbyllës në Samitin e Procesit të Berlinit në Shën Stefan, më 22 tetor, e pata me Kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq. E falënderova për mikpritjen dhe për kryesimin e Procesit këtë vit, dhe e përgëzova për hapat e sigurt që vendi i tij po bën drejt BE-së.

Kosova dhe Mali i Zi janë fqinjë të mirë dhe kanë të përbashkët hovin e progresit demokratik, siç tregojnë shpesh edhe vlerësimet ndërkombëtare. Mali i Zi është më pranë anëtarësimit në BE dhe jemi të interesuar të mësojmë nga përvoja e tij, teksa Kosova pret statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.

Biseduam edhe për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, sidomos për ndërlidhjen më të mirë përmes infrastrukturës tokësore.

Reklamë