Deputetët e Kuvendit të Kosovës vazhdojnë t’i marrin pagat mujore, pavarësisht se puna e legjislativit është karakterizuar nga bllokada dhe numër i kufizuar i seancave.

Këtë çështje e ka ngritur edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, i cili ka bërë të ditur se deputetët që janë betuar në Kuvend kanë marrë pagat, ndërsa ka treguar se për të kjo është paga e katërt që e merr nga Kuvendi, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Sa për info: deputetët që jemi betuar në Kuvend i kemi marrë rrogat. Për mua, kjo është rroga e katërt që e marr nga Kuvendi. Rrogat kalimtare nuk i kam marrë”, ka shkruar Sadiku.

Reklamë

Ai ka vënë në pikëpyetje raportin mes pagës së deputetëve dhe punës së bërë në Kuvend gjatë kësaj periudhe.

“1,500 euro rrogë, me dy seanca të çuditshme, është për besë keq”, ka deklaruar Sadiku.

Sipas tij, edhe në kushtet kur seancat plenare nuk po zhvillohen rregullisht, deputetët kanë pasur mundësi të kryejnë një pjesë të punës së tyre përmes komisioneve parlamentare, shqyrtimit të projektligjeve dhe diskutimit të politikave.

“E di që po tingëlloj pak si popullistët që i urrej, por gjatë gjithë kësaj kohe kemi mundur të punojmë në komisione, t’i shtyjmë përpara disa ligje që po presin, të diskutojmë e të propozojmë politika dhe, në fund të fundit, t’i kryejmë punët për të cilat na kanë votuar qytetarët”, ka shkruar ai.

Sadiku i është drejtuar edhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke kërkuar që të thirret seanca e Kuvendit dhe duke e akuzuar shumicën parlamentare për “dallavere, bllokada e manipulime”.

Reklamë

“Thirreni seancën, të pa dashur dhe të parespektuar Vetëvendosje. Lërini këto dallavere, bllokada e manipulime”, ka shkruar Sadiku.


Çështja e pagave të deputetëve vjen në një kohë kur Kuvendi po përballet me vështirësi në funksionalizimin e plotë të punës së tij. Kështu, pavarësisht numrit të kufizuar të seancave dhe punës së penguar parlamentare, pagat mujore të deputetëve vazhdojnë të ekzekutohen.

Sipas Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, paga bruto mujore e një deputeti është 1,804 euro. Pas rritjes prej 110 eurosh të miratuar vitin e kaluar nga Qeveria e Kosovës, paga aktuale bruto arrin në 1,914 euro.