Kuvendi Komunal i Drenasit ka miratuar të premten një deklaratë lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se është krenar me Asamblenë Komunale pas miratimit të deklaratës.

Në deklaratë, Kuvendi shpreh mospajtimin me aktgjykimin e 16 shtatorit 2026, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe të pabazuar, ndërsa thekson se vendimi duhet të shqyrtohet përmes mjeteve juridike në dispozicion.

Reklamë

“Përgjegjësia e individëve nuk duhet interpretuar si fajësim kolektiv për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe luftën e drejtë të popullit të Kosovës për çlirim dhe të mbështetur nga bota demokratike”, thuhet në deklaratë.

Kuvendi ka theksuar gjithashtu se mospajtimi me aktgjykimin nuk nënkupton mohim të të drejtave të viktimave civile dhe familjeve të tyre, duke kërkuar që krimet e provuara të trajtohen në mënyrë objektive.

Në deklaratë shprehet solidaritet me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, Pjetër Shalës dhe Salih Mustafës. Po ashtu, qytetarëve të Drenasit u bëhet thirrje që qëndrimet e tyre t’i shprehin në mënyrë të qetë, paqësore dhe institucionale.

Kuvendi Komunal i Drenasit u ka bërë thirrje institucioneve qendrore për unitet dhe koordinim të veprimeve ndërinstitucionale, duke e cilësuar trajtimin e kësaj çështjeje si interes të rëndësishëm për vendin.

Në fund të deklaratës është vendosur mesazhi: “JO NË EMRIN TIM!”

Reklamë