×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Politikë

    Kuvendi nesër përballë një tjetër tentative për konstituim: PDK e LDK konfirmojnë pjesëmarrjen, Aleanca e bojkoton

    Autor:Blerdiel Kajdomqaj
    08 Shtator 2026 | 20:07

    Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë konfirmuar se deputetët e tyre do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit, e cila është thirrur të mbahet më 9 shtator, në orën 11:00. Aleanca e Ardian Gjinit ka njoftuar se nuk merr pjesë. 

    Pas një mbledhje me partinë e tij, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, të hënën tha se deputetët e partisë së tij do të marrin pjesë në seancën konstituive në mëngjesin e së nesërmes. Ai tha se partia e tij e konsideron të rëndësishme që Kuvendi i Republikës së Kosovës të jetë i konstituuar para datës 16 shtator, duke e lidhur këtë datë me zhvillimet që pritet të ndodhin në Hagë me ish-krerët e UÇK-së.

    Të gjitha veprimet që ne i ndërmarrim këto ditë ndërlidhen edhe me datën 16 shtator. Ne jemi të bindur se në këtë kohë Kosova ka nevojë që të ketë Kuvend të konstituuar. Ne presim që ata të vijnë në Kosovë. Të festojmë në Kosovë. Nuk ka arsye tjetër”, tha Hamza për media.

    Bedri Hamza gjithashtu ka njoftuar se PDK do të propozojë Vlora Çitakun për pozitën e nënkryetares, duke theksuar se kandidatura e Çitakut ishte propozuar edhe brenda afatit të përcaktuar.

    Grupin parlamentar të hënën e mblodhi edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Pas mbledhjes, deputetja e kësaj partie, Jehona Lushtaku, ka konfirmuar edhe për pjesëmarrjen e deputetëve të LDK-së në seancën konstituive të nesërmen.

    Vendosëm si grup që të marrim pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe t’i kontribuojmë konstituimit të Kuvendit, meqë Kosova është në një fazë të rëndësishme për themelimin e institucioneve dhe funksionalitetin e saj”, tha ajo.

    Ndërkaq, partia “Aleanca” të martën e ka mbledhur kryesinë e saj. Pas mbledhjes, kryetari i saj, Ardian Gjini, ka njoftuar se deputetët e partisë së tij nuk do të marrin pjesë në seancën konstituive të së nesërmes.

    Dua me ju treguar që sot Aleanca ka konfirmuar vullnetin e shumicës dërrmuese të deputetëve, të anëtarëve të kryesisë që nesër mos me marrë pjesë edhe mos me e legjitimuar shkeljen e vazhdueshme dhe brutale të Kushtetutës së Kosovës nga partia që ka fituar zgjedhjet, e cila ka dalë”, njoftoi Gjini gazetarët.

    Më 7 qershor u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa më 8 korrik KQZ-ja i certifikoi rezultatet. Sipas interpretimit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e vitit 2025, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhej të konstituohej brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve.

    Afati i fundit për konstituimin e Kuvendit ishte më 7 gusht, ndërsa Albulena Haxhiu, ushtruesja e detyrës së presidentes, e thirri seancën e parë të legjislaturës së re më 6 gusht, në orën 10:00. Megjithatë, si rezultat i moszgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, procesi i konstituimit dështoi.

    Më 8 gusht seanca vazhdoi, ku kryesuesi i seancës ishte Avni Dehari dhe pika kryesore ishte zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Por lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, dhe kryeministri në detyrë deklaroi se nuk kishte ende marrëveshje me partitë e tjera dhe kërkoi më shumë kohë për negociata. Më pas, Dehari e ndërpreu seancën dhe nuk caktoi një datë tjetër.

    Ndërkaq, më 11 gusht, Dehari deklaroi se seancat nuk kanë kuptim të mbahen përderisa nuk japin rezultate.

    Më 13 gusht, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, së bashku me deputetin e Aleancës, Besnik Tahiri, në një konferencë të përbashkët për shtyp kërkuan që seanca të mbahej më 14 gusht, në orën 11:00, duke argumentuar se vonesa krijonte probleme kushtetuese. Megjithatë, Avni Dehari nuk kishte dhënë përgjigje.

    Më 19 gusht, PDK-ja i kishte dërguar sërish letër Avni Deharit, duke kërkuar që seanca të vazhdonte më 20 gusht, në orën 11:00, por seanca përsëri nuk ishte thirrur. Pas kësaj PDK i dërgoi Deharit edhe disa letra ku i kërkonte që të thirrjes seanca.

    Tek më 4 shtator, Dehari i VV-së reagoi kur njoftoi se do ta thërras vazhdimin e seancës konstituive për datën 9 shtator.

    Ndërkohë që nuk thirrej seanca për konstituimin e Kuvendit, më 31 gusht, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimeve të shumta që nga 9 korriku, arritën një marrëveshje që ish-diplomati dhe ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, të jetë kandidat i përbashkët për president të Republikës së Kosovës. Por, marrëveshja nuk u pranua nga gjashtë 6 deputetë të LDK-së. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!