Me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Transferimin e Personave të Dënuar.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, gjatë prezantimit të projektligjit, tha se marrëveshje të tilla përfaqësojnë një dimension të rëndësishëm të bashkëpunimit evropian dhe të forcimit të kapaciteteve shtetërore për zbatimin efektiv të ligjit.
Ajo theksoi se marrëveshja respekton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe garancitë e procesit të rregullt ligjor.
Gërvalla rikujtoi se, në bazë të nenit 18 të Kushtetutës së Kosovës, marrëveshja kërkon ratifikimin nga Kuvendi, pasi ndërlidhet me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
“Duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe garancitë e procesit të rregullt ligjor. Për Republikën e Kosovës, marrëveshje të tilla përfaqësojnë një dimension të rëndësishëm të bashkëpunimit evropian dhe të forcimit të kapaciteteve shtetërore për zbatimin efektiv të ligjit. Në bazë të nenit 18 të Kushtetutës, duke qenë se marrëveshja ndërlidhet me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, kërkohet edhe ratifikimi i saj nga Kuvendi. Prandaj, të nderuar deputetë, ju ftoj ta mbështesni këtë projekt”, tha Gërvalla.
Mbështetjen për projektligjin e kanë shprehur edhe grupet parlamentare të partive opozitare, PDK-së, LDK-së dhe Aleancës.