×
  • Lajme
  • Lajme / Akuzat e Kurtit ndaj emisarit

    Lajçak përmes një fotoje të re me Chollet e Escobar rikonfirmon edhe një herë se BE dhe SHBA ndajnë qasje të njëjtë në Dialog

    Reporteri
    19 Shtator 2023 | 23:37

    Ndërmjetësi i BE-së, Miroslav Lajçak është parë sonte në një darkë në Nju Jork me Këshilltarin e Lartë të DASh, Derek Chollet si dhe të Dërguarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Kështu, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të dëshmojnë se ndajnë të njëjtin qëndrim në dialogun Kosovë-Serbi.

    Siç ka njoftuar vetë emisari Lajçak, i cili edhe ka ndarë fotografi me Chollet dhe Escobar, përmes kësaj darke është rikonfirmuar bashkëpunimi i ngushtë BE-ShBA konform zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, shkruan Reporteri.net.

    Kjo deklaratë vjen pas akuzave të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se ndërmjetësi Lajçak po e pengon progresin në Dialog pasi po ia mban anën Serbisë. Kjo, sipas Kurtit, po e dëmton pozicionin e Kosovës.

    Kurti për Lajçakun: Është koordinuar me Vuçiqin, me 14 shtator u ekspozova përballë skenarit të tij kundër Kosovës

    “Në darkë mes miqsh të mirë në Nju Jork me @CounselorDOS Derek Chollet dhe DAS Escobar. Gjithmonë është e dobishme të rikonfirmojmë se ne ndajmë të njëjtin lexim të situatës në Ballkanin Perëndimor dhe jemi në të njëjtën linjë në lidhje me rrugën përpara”, ka njoftuar Lajçak.

    Ndërkohë, të njëjtën gjuhë kërcënuese si Kryeministri Kurti, në mos edhe më të rëndë, e ka ndarë sot edhe Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

    Gërvalla e akuzoi Lajçak për njëanshmëri në procesin e dialogut dhe për këtë tha se disa herë kanë shprehur pakënaqësi për këtë, por tha se “javën e kaluar është mbushur kupa”, duke aluduar për takimin e 14 shtatorit në Bruksel.

    Sipas saj, “janë prezantuar sikur të BE-së dokumente të cilat kanë qenë të Serbisë”, derisa tha se është bërë e pamundur që të vazhdohet ky proces në këtë formë.

    “Pra, ka qenë tepër i hapur qëndrimi i Lajçakut në favor të Serbisë. Janë prezantuar sikur të BE-së dokumente të cilat kanë qenë të Serbisë. Prandaj, për ne është bërë e pamundur që ta vazhdojmë këtë proces, në këtë formë. Ne i kemi bërë thirrje Bashkimit Evropian disa herë në kanalet tona të brendshme që të kihet më shumë kujdes në mënyrë që ky dialog të ketë një shans për të pasur sukses. Deri tani, nuk po e shohim kujdesin e nevojshëm”, ka deklaruar Gërvalla.

    Gërvalla rëndon gjuhën ndaj Lajçak: Është mbushur kupa, prezantoi si të BE’së dokumente të Serbisë

    Ndërsa, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nuk ka mbajtur anën e Kryeministrit Kurti në këto qëndrime të tij ndaj emisarit evropian.

    Me organizim të Shefit të Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, Presidentja Osmani ka marrë pjesë në një darkë me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Ndonëse Kryeministri Kurti pati një mal kritikash ndaj emisarit Mirosllav Lajçak, që po ashtu ishte pjesë e kësaj darke, Osmani është parë duke biseduar me të. E, as për këto akuza nuk ka folur. /Reporteri.net/.

    Presidentja Osmani shkon në darkën e Borrellit në New York, nuk i përmend akuzat e Kurtit ndaj Lajçakut

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!