×
  • Lajme
  • Lajme / Televizion

    Largimi i Top Channel, TV Klan dhe kanaleve “Digitalb” e “SuperSport”, KPM del me një paralajmërim për kabllorët – ARKEP heshtë

    Reporteri
    04 Janar 2024 | 11:09

    Komisioni i Pavarur i Mediave, pas ankesave të shumta të qytetarëve, ka paralajmëruar platformat kabllore në Kosovë se “normativa ligjore e KPM-së parasheh një nivel të mbrojtjes se përdoruesve në rast të mos ofrimit të shërbimeve të parapara në kontratë”.

    KPM bën të ditur se po trajton secilën ankesë veç e veç dhe për këtë mund të ndërmerren hapa ligjor, nëse operatorët e shpërndarjes kanë dështuar të veprojnë në pajtim me Rregulloren KPM-2020/01.

    Gazeta Online Reporteri.net, të martën, ka raportuar se platforma “Kujtesa” nga 1 janari, ka ndërprerë pa asnjë paralajmërim për abonentët e saj sinjalin e kanaleve shqiptare Top Channel, TV Klan dhe të atyre të “Digitalb”. Ky veprim ka prekur edhe platformat tjera televizive në Kosovë, për shkak të të drejtave gjoja ekskluzive që i barte “Kujtesa” në distribuonim e këtyre kanaleve brenda territorit të Kosovës.

    Top Channel, TV Klan, dhe kanalet shqip largohen nga platforma “Kujtesa” – kabllori “pushtohet” nga kanalet serbe dhe ato turke

    “Komisioni i Pavarur i Mediave ka pranuar një numër të ankesave nga qytetarët në lidhje me mos-transmetimin e kanaleve televizive të DigitAlb nga operatorët e shpërndarjes. Për sqarim të opinionit, KPM nuk ka marr kurrfarë vendimi për ndërprerjen e kanaleve të DigitAlb, pasi që DigitAlb nuk është subjekt i licencuar pranë KPM-së dhe si i tillë ajo mund të sjellë platformën e saj programore vetëm përmes marrëveshjes me operatorët e licencuar pranë KPM-së. Duhet sqaruar se KPM nuk mund ta obligojë një platformë të huaj që të sjellë programet e veta në Kosovë, për faktin se kanalet janë objekt i marrëveshjes në mes të operatorëve të shpërndarjes dhe dhënësit të të drejtave”, ka sqaruar tutje KPM-ja në një njoftim publik që ka lëshuar të mërkurën.

    Pos kanaleve shqip të “Digitalb”, “Kujtesa” ka larguar edhe kanalet shqiptare “Super Sport”, duke shkaktuar kështu që disa nga ligat më të njohura të futbollit të mund të ndiqen nga abonentët e saj vetëm me komentim në gjuhen serbe përmes kanaleve të “Telekom Srbija” që janë brenda platformës.

    Për më tepër, KPM ka njoftuar se duke u bazuar në paqartësitë e krijuara se fundi në lidhje me të drejtat sportive, ka kërkuar sqarime edhe nga Premier Liga angleze në lidhje me të drejtat e transmetimit në Kosovë, me ç’rast kjo e fundit ka konfirmuar se të drejtat e transmetimit për Kosovë i kanë DigitAlb në gjuhën shqipe dhe Arena Sport në gjuhën serbe.

    “KPM e siguron opinion publik, me thekës të veçantë palët ankuese, se do t’i trajtojë me kujdes të gjitha ankesat, ashtu siç përcaktohet me Rregulloren KPM-2020/01 dhe se palët do të njoftohen për veprimet e ndërmarra në lidhje me këto ankesa”.

    Gazeta Online Reporteri.net, të martën, ka raportuar se platforma “Kujtesa”, ndërkohë që dita-ditës po largon pa paralajmërime kanalet kryesore shqiptare – shumë të ndjekura edhe në Kosovë – përfshirë ato kombëtare si Top Channel e TV Klan, ato kohë pas kohe janë duke u zëvendësuar me kanale serbe dhe turke të cilat janë në numër të konsiderueshëm të listuara në këtë platformë.

    Në kanalet sportive serbe që transmetohen në Kosovë shfaqen mesazhe mbështetëse për terroristët e Banjskës

    Madje, platforma “Kujtesa” e ka pjesë të listës së kanaleve të saj edhe televizionin shtetëror serb, RTS, që njihet si platformë mjaftë aktive në propagandën kundër shtetit të pavarur të Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Ndërkohë, në shtator të vitit 2023, pak ditë pas agresionit serb në Kosovë përmes rastit të Banjskës, kanalet serbe “Arena Sport” që transmetoheshin edhe nga “Kujtesa”, kishin shfaqur një mesazh kërcënues për vendin.

    “Do të mbajmë mend”, thuhej në spotin e prezantuar nga kanalet serbe që jepeshin edhe në “Kujtesa”, ndërsa po ashtu nuk mungonin as lavdet për terroristët serbë që u vranë në aksionin e Policisë në Banjskë të Zveçanit, pasi grupi i armatosur vrau policin Afrim Bunjaku.

    Në spot shkruhej edhe “Manastiri i Banjskës” dhe data e 24 shtatorit, kur ndodhi rasti. Pas këtij skandali, KPM-ja ndaloi transmetimin e kanaleve të “Arena Sport” në Kosovë. Por vetëm pak javë pas kanalet u kthyen në “Kujtesa” dhe platforma tjera nën një emër tjetër “Balkan Sport”, raporton gazeta online Reporteri.net.

    KPM-ja ndalon transmetimin e kanaleve të “Arena Sport” në Kosovë, pasi shfaqën spotin kërcënues në serbisht

    Ndryshe, para më pak se një muaji, “Kujtesa” në treg kishte nxjerrë ofertën e fundit për abonime 1 vjeçare, në të cilat pjesë të platformës “i shiste” edhe kanalet “Digitalb”. Mbetet të shihet nëse kjo platformë do t’iu mundësojë klientëve të saj shkëputjen e kontratave, pas largimit të këtyre kanaleve pak ditë pasi janë abonuar për 1 vit.

    Për dallim nga KPM’ja, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) po vazhdon të qëndrojë i heshtur ndaj ankesave të qytetarëve pas veprimit të fundit të operatorit “Kujtesa” që ka ndikuar edhe tek operatorët tjerë.

    Madje, ARKEP ka injoruar edhe pyetjet e gazetës online Reporteri.net, nëse edhe në rastin e “Kujtesa” qytetarëve do t’u jep të drejtë t’i shkëpusin kontratat, pas ndryshimit të listës së kanaleve, sikurse kishte ndodhur në rastin e IPKO’s në maj të vitit 2022.

    ARKEP në një njoftim të asaj kohës kishte njoftuar abonentët e IPKO’s e cila po ashtu kishte hequr pa paralajmërim kanalet “Digitalb” dhe “SuperSport” nga platforma e saj, se “Bazuar në Rregulloren nr. 38 për Kontratat, transparencën dhe publikimin e informatave dhe masave tjera mbrojtëse për përdoruesit fundorë për ofrimin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, neni 5 (shkëputja e kontratave), paragrafi 2 përcakton që: Parapaguesit duhet të informohen për të gjitha ndryshimet e propozuara në kushtet e kontratës jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve”.

    “Në rast të mospajtimit me ndryshimet e kushteve, parapaguesi ka të drejtë që pa asnjë pasojë të shkëputë kontratën”, thuhej në sqarimin e ARKEP të lëshuar me 6 maj 2022. /Reporteri.net/.

    ARKEP u jep të drejtë qytetarëve, kontratat me IPKO’n mund t’i shkëpusni pa asnjë pasojë, nëse nuk pajtoheni me ndryshimet e kushteve

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!