×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lokalet 2025 / Dyshimet

    Drejtoresha e Bali Muharremajt akuzohet për blerje votash në Suharekë – i përfshirë edhe burri i saj

    Reporteri
    06 Nëntor 2025 | 20:30

    Drejtoresha e Kulturës në Suharekë, Albulena Kokollari, e cila ishte gjithashtu kandidate për asamble komunale në zgjedhjet e 12 tetorit, po akuzohet publikisht për përfshirje në blerje votash. Në këtë rast, dyshohet se është i përfshirë edhe bashkëshorti i saj, për të cilin pretendohet se ekziston një video ku shihet duke paguar deri në 120 euro për një votë.

    Kandidati për kryetar të Suharekës nga Lidhja Demokratike e Kosovës Ardian Shala, ka akuzuar zyrtarë të komunës, përfshirë edhe drejtoreshën e Kulturës, për përfshirje në blerje votash gjatë zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

    Sipas Shalës, disa nga drejtorët e kabinetit të kryetarit aktual, Bali Muharremaj, janë angazhuar në aktivitete të paligjshme për të siguruar vota në favor të tij.

    Konkretisht, Shala ngriti dyshime se bashkëshorti i Drejtoreshës së Kulturës Albulena Kokollari, e cila ishte edhe kandidate për asamble ka blerë vota.

    Po flitet për burrin e drejtoreshës së Kulturës se në një farë forme krejt këta drejtorat e tij kanë blerë vota. Kanë hyrë në asamble duke blerë vota. Qytetarët këtë e dinë” ka deklaruar Shala gjatë debatit televiziv në RTK, ku u përball me Muharremajn.

    Dy persona të ndaluar për blerje votash

    Gazeta “Insajderi” raporton se behet fjalë për rastin e arrestimit të kryer më 12 tetor, kur Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona në Suharekë nën dyshimin për “dhënie ose marrje ryshfeti në lidhje me votimet”. Gazeta online Reporteri.net kishte raportuar rreth rastit.

    Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se vota ishte blerë për shumën prej 120 eurosh.

    Prizren / 12.10.2025 – N.N. Janë shoqëruar në stacionin policor dy të dyshuar meshkuj kosovarë, njëri në cilësinë e dhënësit dhe tjetri të marrësit të një shume prej 120 euro, në mënyrë që të votohet personi i caktuar. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar në procedurë të rregullt” thuhet në raportin zyrtar të policisë.

    Prokuroria Themelore e Prizrenit të mërkurën nuk ka dhënë detaje nëse personi i ndaluar është bashkëshorti i Drejtoreshës së Kulturës, por deri në publikimin e shkrimit nuk kanë kthyer përgjigje.

    Insajderi raporton se e ka kontaktuar edhe drejtoreshën e Kulturës në Suharekë, Albulena Kokollari, për të marrë qëndrimin e saj lidhur me akuzat. Megjithëse ajo i ka parë pyetjet e dërguara, nuk ka pranuar të japë asnjë koment.

    Kokollari ishte kandidate për asamble komunale nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe, sipas rezultateve të publikuara, ka siguruar votat e nevojshme për të hyrë në Asamble.

    Pamje që pretendohet se dëshmojnë blerjen e votave

    Një medium lokal “Suhareka Online”, një ditë pas zgjedhjeve të 12 tetorit, kishte raportuar se ka siguruar materiale audio dhe video që, sipas tyre, dëshmojnë rastin e blerjes së votave.

    Suhareka Online ka siguruar audio dhe video-incizime të cilat do të publikohen së shpejti, ku shihet personi duke paguar për vota – që në këtë rast është i afërm i një kandidate për asamble komunale. Sipas dëshmive që ka siguruar redaksia, rasti ka ndodhur në njërin nga restorantet në periferi të fshatit Vraniq, ku blerësi i votave është filmuar duke i dhënë paratë nën tavolinë në këmbim të votave të dëshmuara me foto/video” citohet të ketë raportuar mediumi lokal.

    Megjithatë, materialet kurrë nuk u publikuan.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!