×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lokalet 2025 / Drejtori i policisë jep detaje

    6500 policë të angazhuar në ditën e zgjedhjeve – fokusi më i madh do të jetë në veri

    Reporteri
    12 Tetor 2025 | 9:59

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka treguar se janë bërë të gjitha përgatitjet për ditën e zgjedhjeve.

    Ai  ka shpjeguar planin operativ.

    “Plani operativ është përgatit shumë kohë më përpara, sepse ne punojmë me disa faza të planit, qysh prej fillimit të fushatës zgjedhore e deri te dita e zgjedhjeve dhe pastaj, siç është dita finale, po edhe menaxhimi i situatës pas shpalljes së rezultateve e deri te përfundimi i numërimit të votave në qendrën e numërimit të rezultateve nga KQZ-ja”, ka thënë Hoxha.

    Ai ka shtuar se gjatë gjithë këtij procesi Policia e Kosovës ka qenë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Kosovës dhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke siguruar koordinim të plotë për një ditë zgjedhore të qetë dhe të sigurt.

    Hoxha thekson se numri i përgjithshëm i policisë së angazhuar për sot është deri në 6500 veta.

    “Deri tash në Polici gjatë ditës së sotme nuk është raportu ndonjë incident. Në të gjitha qendrat e votimit jemi vendosë Policia e Kosovës në bashkëpunim me KQZ-në dhe presim që gjithçka të shkojë mbarë e mirë. Numri i përgjithshëm i policisë është dikund 6500 veta të angazhuar e po ashtu një numër i madh i automjeteve. Kemi hapë dhomat komanduese në nivel qendror të Policisë në nivel lokal, të gjithë eprorët janë në detyrë dhe operacioni ka filluar qysh nga ora 03:00 e mëngjesit dhe do të vazhdojë”- u shpreh ai.

    Tutje, Hoxha ka thënë se bazuar në ngjarjet në të kaluarën, fokusin më të madh Policia do ta ketë veriun e Kosovës, mirëpo shtoi se nuk pret ndonjë incident madhor.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!