Pas më shumë se një dekade përvoje profesionale në shoqërinë civile dhe projekte zhvillimore, Fjolla Vukshinaj Reçica ka marrë vendimin që përvojën dhe energjinë e saj t’ia kushtojë qytetit të Prishtinës, duke kandiduar për Asamblenë Komunale të Prishtinës, në ekip me Uran Ismailin, me numrin 30.

“Ka momente në jetë kur e ndien se koha për ndryshim ka ardhur. Për mua, ky është momenti për ta kthyer përvojën profesionale në angazhim qytetar” thotë Vukshinaj Reçica.

Me profesion politologe, si dhe profesioniste e komunikimit me mbi dhjetë vjet përvojë, ajo ka bashkëpunuar me organizata ndërkombëtare si USAID, IREX, Chemonics, KEC e të tjera, duke udhëhequr strategji që kanë ndihmuar në zhvillimin e të rinjve, forcimin e qeverisjes nacionale dhe lokale dhe përmirësimin e transparencës. Fjolla ka qenë e angazhuar edhe në organizatën Germin, duke kontribuar në ndërtimin e lidhjeve të diasporës me Atdheun.

Reklamë

Angazhimi i saj për ndryshim nuk është i ri, ai buron nga rrënjët familjare dhe vlerat që i ka trashëguar që në fëmijëri. Gjyshi idealist i bashkimit kombëtar dhe i burgosur politik, babai pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nëna aktiviste e lëvizjes popullore dhe e UÇK-së, e kanë mësuar që përparimi kërkon përkushtim e veprim. Qysh e vogël, ajo është angazhuar si vullnetare në organizata që ndihmojnë personat me nevoja të veçanta sikurse HANDIKOS, Marsi, Shoqata e të shurdhërve, por edhe në Rrjetin e Grave të Kosovës, duke ndërtuar ndjeshmëri dhe lidhje me komunitetin që e udhëheq edhe sot.

“Besoj në një Prishtinë ku vendimmarrja është më e afërt me qytetarin, ku fjala e qytetarit ka peshë dhe ku përfshirja sjell ndryshim real sepse një kohe e re po vjen,” thekson Fjolla Vukshinaj-Reçica.