Kandidati për kryetar të Komunës së Junikut nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Ruzhdi Shehu, ka mbajtur sot takimin përmbyllës me gratë dhe vajzat e kësaj komune në kuadër të fushatës për zgjedhjet komunale 2025.

Në këtë takim, sipas Shehut, kanë marrë pjesë mbi 200 gra dhe vajza nga Juniku, të cilat ai i ka falënderuar për përkrahjen e madhe që po i japin LDK-së.

“Faleminderit të gjithave që keni marrë pjesë sot në takimin përmbyllës. Për dallim nga tubimet e partive tjera, të gjitha gratë dhe vajzat pjesëmarrëse në takimin e LDK-së janë nga Juniku dhe votojnë në Junik. Faleminderit shumë për përkrahjen tuaj kaq të madhe,” ka shkruar Shehu.

Reklamë

Ai ka theksuar se gruaja është “shtylla e shoqërisë, potenciali dhe fuqia më e madhe që e kemi”, duke premtuar se në mandatin e dytë do të ketë edhe më shumë projekte që synojnë përkrahjen dhe fuqizimin e rolit të gruas në vendimmarrje.

“Prandaj në mandatin tonë të dytë do të vazhdojmë me shumë projekte që në fokus do të kenë përkrahjen e rolit të gruas dhe fuqizimin e saj në vendimmarrjen e Komunës së Junikut,” ka deklaruar ai, duke shtuar në fund: “Urime të gjithëve. Vazhdojmë +4 pa balotazh.”